Vëllai i Danielit, do të vazhdojë të kërkojë për hekur...
SHËNIM I REDAKTORIT: Materiali i mëposhtëm është përgatitur nga korrespondentja e "Shekullit" në Shkodër, Anila Dushi, pas apelit për ndihmë në redaksi të familjes Marashi. Kjo familje humbi disa ditë më parë, djalin e vet 13-vjeçar Danielin, i cili u vra nga një predhë, ndërsa mblidhte hekur për të ndihmuar familjen e tij të varfër.
Në familjen e Tonin Marashit, në Bardhaj të Shkodrës, vaji vazhdon. Familja Marashi jeton në një shtëpi njëkatëshe, ndërtuar me blloqe betoni, e pa suvatuar dhe me soletë të dëmtuar, me tre dhoma të vogla, ku orenditë janë të pakta. Familjaret flasin pak, ecin me kokën poshtë dhe me një shikim që flet shumë për dhimbjen që ka shkaktuar ngjarja e rëndë, humbja e jetës së birit të tyre 13-vjeçar. Tonin Marashi është me origjinë nga Thethi por ka jetuar në Zejmen të Lezhës, për t'u zhvendosur para rreth 15 vitesh në Bardhaj. Tonini është i papunë, po kështu dhe bashkëshortja e tij Marija.
Marija, nëna e Danielit tregon se dy djemtë, (kanë edhe një vajzë 17-vjeç dhe një djalë tjetër të paralizuar), ishin të vetmit që përpiqeshin për të siguruar të ardhura, duke mbledhur hekur për ta shitur. "Danieli humbi jetën nga varfëria. Na duhet të jetojmë tani vetëm me pensionin e Donaldit të paralizuar. Pranë nesh, madje kudo rreth e rrotull ka municione luftarake të shpërndara kudo, dhe që shkaktojnë tragjedi si kjo që na ra neve. "Kërkoj ndihmë nga shteti, shoqatat apo biznesmenët, jemi të varfër", - shprehet e përlotur nëna e Danielit. Danieli ka rreth një javë që nuk është më... Djaloshi kishte hyrë në brendësi të zonës ushtarake i pa shqetësuar nga askush, me dëshirën e vetme për të mbledhur hekur e për ta shitur më pas për skrap. Prej vitesh, kjo ishte një mënyrë që siguronte mbijetesën e familjes Marashi.
***
Fshati Bardhaj ndodhet fare pranë një territori ushtarak, të minuar e të pambrojtur. Fëmijët e zonës, sapo mbarojnë mësimin, çdo ditë mbledhin copa predhash e granata për t'i shitur si hekur e këtë e bëjnë siç thonë ata, "për të hangër". Ai që duhet të marre masa të paktën për t'i ndihmuar, shteti shqiptar, duket se i ka harruar banorët e Bardhajve. Punë e bollëk aty nuk ka, por së paku të mbroheshin nga rreziku i këtyre predhave, një prej të cilave i mori jetën vogëlushit Daniel. Vëllai 15-vjeçar i Danielit të vdekur, do të vazhdojë të kërkojë për hekur. Jo vetëm ai. Një javë pas tragjedisë, fëmijët vazhdojnë të kërkojnë hekurishte në territorin e zonës së dikurshme ushtarake, shoqëruar me rrezikun e përsëritjes së tragjedisë. Askush deri tani nuk ka ardhur ta inspektojë apo kontrollojë këtë zonë, në mënyrë që të merren masa për pastrimin e saj nga municionet luftarake, madje askush nuk e ruan këtë territor. Këtu vdekja duket se është fare pranë. Apeli i familjes Marashi por dhe i mjaft familjeve të tjera në fshatin Bardhaj, është: "Ndihmë! Ndihmë për të jetuar, ndihmë për të pastruar zonën!".