E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa të dhëna historike për Ali Pashë Tepelenën

Shumë është shkruar e folur mbi Ali Pashë Tepelenën. Nga fundi i shekullit XVIII e fillimi shek. XIX- nuk kishte qytet shqiptar më të njohur në mbarë Turqinë evropiane sesa Janina; falë famës së tij, libra historikë e përshkrime udhëtimesh nga kjo pjesë e Ballkanit mund t'i gjeje në atë kohë në mbarë Perëndimin.
Ali Pasha vdiq si kryengritës, i thyer, i vrarë, pikërisht atëherë kur ishte bindur se Sulltani e kishte falur; vdekje e ngjashme me atë që ai u kishte ofruar kundërshtarëve a viktimave, veçanërisht suliotë, të cilët dorëzoheshin me premtim për jetën e pastaj vriteshin a helmoheshin. Në një rast, Ali Pashës i thanë se gjatë udhëtimit afër Këlcyrës kishin parë disa banorë suliotë të internuar në atë zonë prej tij, pas rënies së Sulit, që jetonin në gjendje shumë të vështirë dhe kishin nevojë për ndihmë. Dhe Aliu tha se habitej vetëm që ata ishin ende gjallë, pasi qëllimi i internimit ishte që ata të vdisnin duke vuajtur. (Pouqueville) Në një rast tjetër, tregohet se pas një masakre, shoqëruesit a shokët e tij i thanë "Pasha ç'bëre kështu, vrave gra, pleq e fëmijë?".- "Pse s'më thatë gjë përpara?", ua ktheu Aliu me sarkazëm, duke u lënë të kuptonin se faji ishte edhe i atyre që kishin heshtur ndërsa tani e kritikonin.
Disa mendojnë se për sa kohë që malet e Sulit të ekzistojnë, Ali Pasha do të kujtohet si njeri mizor. Të tjerë thonë se ai ishte shqiptar i vërtetë, mishërim i energjisë, forcës dhe guximit të racës së vet. Sikur të kishte arritur të hidhte tej me sukses zgjedhën osmane, thonë ata, vendi nën qeverisjen e tij, do të ishte bërë i begatë, i bashkuar e i pavarur e do të kishte lënë pas për nga zhvillimi çdo vend tjetër, larg e afër.
Gjatë kohës që qeverisi, Ali Pasha ndërtoi rrugë, ura mes maleve, lumenjve e moçaleve, që i dhanë një nxitje të madhe tregtisë. Në kohën e tij, Janina ishte një qytet me mbi 40 mijë banorë dhe qendër tregtare. Por ashtu si fati i Pashait, edhe qyteti u rrënua. Për një vizitor të huaj në Janinë, në vitet 1840, fortifikatat e shkatërruara, shtëpitë e braktisura, muret e rrëzuara, të gjitha ishin gjurmët e një lufte të ashpër mes shqiptarëve të përçarë; njëra palë luftonte në mbrojtje të zotërimeve të pashait, ndërsa pala tjetër, me të njëjtën vendosmëri, sulmonte për t'i marrë ato. (Tozer)
Më 1424, kur Thesalia dhe Maqedonia ranë nën sundimin osman, Janina me rrethe ishte një republikë e pavarur tregtare dhe e begatë, e banuar nga fise çame. Suliotët ruajtën pavarësinë, por deri në ardhjen e Aliut si Pasha i Janinës me 1788. Pas kësaj, krahas heroizmit, Evropa do të njihej edhe me vuajtjet e suliotëve dhe banorëve të tjerë çamë të Filatit, Margaritit e Pargas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›