Vëllai i Presidentit vjen si shkrimtar në Tiranë, për të rrëfyer Barak Obamën
Vëllai i presidentit amerikan, Mark Okoth Obama Ndesandjo, prezantoi dje librin gjysmëbiografik “Nga Nairobi në Shenzen: Një histori dashurie për lindjen e largët”, një libër që është sjellë në shqip nga shtëpia botuese “55”. Mark Obama, një emër që shqiptarët e lidhin veçse me presidentin amerikan Barak Obama, në fakt përveç ngjashmërisë së dukshme, timbrit të zërit dhe sigurisht mbiemrit të njëjtë, asnjë lidhje të afërt nuk dukej të kishte me Presidentin më të pushtetshëm të globit. Pamja e tij e përditshme ishte si ajo e një repisti, me një shall të lidhur në kokë dhe me pantallona të shkurtra. I pranishëm në Tiranë për të prezantuar librin e tij gjysmë-autobiografik, kostumit të zi që kishte veshur me këtë rast nuk i mungonte shalli i lidhur në kokë. Në fakt ai nuk heziton ta shuajë kureshtjen edhe për shallin-kapele. “Është një kapele tradicionale nga Bali. Personi që e mban atë, sipas traditës së këtij vendi, duhet trajtuar me respekt”- thotë Mark Okoth Obama Ndesandjo. Në promovimin e Librit “Nga Nairobi në Shenzen: Një histori dashurie për Lindjen e Largët”, përkthyer nga Blendi Lami, ishte i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha, disa prej ministrave të kabinetit të tij, si dhe personalitete të artit dhe kulturës. Botuesi i shtëpisë botuese “55”, Fahri Balliu, vlerësoi ndër të tjera personalitetin e shkrimtarit dhe muzikantit Mark Obama. Në librin e tij Mark Obama reflekton eksperiencën e tij personale, lindjen dhe rritjen në Kenia, jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimin e tij në Kinë, ku edhe jeton me bashkëshorten e tij. Por një vend të veçantë në këtë libër zë marrëdhënia e tij e vështirë me të atin Barak Obama (të vjetrin), të cilin Mark e përshkruan si emocionalisht dhe psikikisht abuziv. Mark Obama u lind në Kenia nga martesa e tretë e Barack Obamës (i vjetri) me Ruth Nidesand, bija e një emigranti hebreo-lituanez. Çifti u divorcua dhe ai u shpërngul në SHBA, ku edhe u shkollua. Ashtu si edhe libri bestseller i të vëllait, “Ëndrra nga im atë”, edhe libri i tij përqendrohet në problematikën që shoqëron rritjen e një fëmije “gjakpërzier” e aq më tepër nën hijen e një babai të dhunshëm. Babai e rrihte atë dhe nënën. “Ime më thoshte për babanë: është një burrë brilant, por dështim social” - është shprehur ai për të atin. Por Mark Obama përmes librit të tij synon të tërheqë vëmendjen ndaj dhunës në familje e sidomos ndaj fëmijëve që përjetojnë eksperienca të tilla. Për këtë arsye, të ardhurat që do të vijnë nga shitja e librit të tij në Shqipëri, do t’i shkojnë Fondacionit “Nënë Tereza” në Shqipëri. Mark Okoth Obama Ndesandjo është dhe një pianist mjaft i mirë i muzikës klasike e xhaz. Për të pranishmit në ceremoninë e promovimit të librit ai luajti madje dhe një pjesë në piano. Pjesë e punës së tij të përditshme është dhe vullnetarizmi, ai organizon herë pas here koncerte bamirësie dhe jep edhe mësime falas në një jetimore.
Kishit dëgjuar më parë për Shqipërinë dhe përse vendosët që librin tuaj ta sillnit edhe në shqip?
Është shumë interesante sesi erdha në Shqipëri. Për këtë vend kisha pak njohuri, vetëm çfarë kisha mësuar gjatë studimeve të mia, sepse edukimi im i përket kulturave të ndryshme europiane. Por një vit më parë, në një seminar, në krah kisha një shqiptar me të cilin folëm gjatë për shkrimtarët, vullnetarizmin për Shqipërinë etj. Dhe ishte ky person që më vuri në kontakt me doktor Fahri Balliun dhe aty lindi dhe ky bashkëpunim. Por sigurisht që unë dua të mësoj edhe më shumë për Shqipërinë.
Cila ka qenë shtysa që vendosët të shkruanit këtë libër?
Ajo që ndodhi është se ky libër nuk ka dalë papritmas, por më është dashur 10 vjet për ta shkruar. Unë kam lexuar shumë libra gjatë gjithë jetës sime, që kur kam qenë fëmijë. Kam lexuar Sartrin, Kamy-në. Kam lexuar “Kronikë në gur” të Ismail Kadarese. Dhe në kuadrin e kësaj doja të shkruaja në autobiografi për babain tim, por ndodhi që nuk më kujtohej asgjë e mirë nga jeta me babain tim edhe pse u përpoqa shumë, shumë. Nuk kisha sesi ta shkruaja autobiografinë për babain pa thënë asgjë të mirë, sepse çdo njeri sado i keq të jetë e ka një mirësi brenda vetes. Ajo që bëra unë pastaj ishte imagjinatë. Po sikur im atë të kishte shkruar një ditar për t’ia dhënë djalit të tij, ku i shpjegonte anët e tij të këqija dhe të mirat. Kështu e kam imagjinuar edhe unë në libër. E në këtë moment mendova se kjo nuk është autobiografi, sepse babai im nuk e ka mbajtur kurrë atë ditar, por një gjë e tillë lindi nga dëshira për të kuptuar familjen, sesi të gjithë bëjmë gabime por dhe veprime të mira. Ka dhe karaktere të tjera në libër, që kanë qenë dhe janë pjesë e jetës sime, por nuk është një autobiografi e imja, por është pjesërisht. Libri është roman dhe gjysmëbiografi. Marrëdhëniet me babain nuk janë çështja kryesore në këtë libër, por unë aty përpiqem të shpjegoj përvojën që kam kaluar në familjen time, ku i referohem dhunës familjare të cilën unë vetë e kam parë me sytë e mi.
A e keni falur babanë tuaj sot?
Duke u përpjekur të vë dashurinë të parën, kam arritur ta fal babanë tim dhe kjo ishte rruga më e mirë për t’i dhënë familjes sime sot vlerën që meriton. Familja ime jep shumë dashuri. Ne shkojmë çdo javë në një jetimore dhe i mësojmë fëmijët që të luajnë piano. Unë nuk di nga na buron kjo, por Ju shqiptarët, meqë jeni kaq mikpritës dhe bujarë, e kuptoni se sa i lumtur ndihesh kur jep dhe merr dashuri.
Barak Obama ka shkruar autobiografinë “Ëndrra nga im atë”, ndërsa ju vini me një libër gjysmëbiografik ku flisni edhe për familjen. Sa të përbashkëta kanë historitë e dy familjeve Obama?
Ai është vëllai im. Unë nuk do të futem në detaje, por mendoj se në mënyra të ndryshme ne kemi patur përvoja të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Unë jam rritur në Kenia dhe kam kaluar më shumë kohë me anëtarët e familjes me vëllezërit dhe me tim atë. Por të dyja përvojat kanë vlerat e tyre, për shkak se ato varen nga çështje të cilat të ndjekin në rrugën tënde. Vëllai im ka gjetur rrugën e tij dhe unë kam gjetur rrugën time. Siç e them unë: “E rëndësishme është të jesh vetvetja”. Për këtë unë do të zbuloj edhe disa detaje të tjera në librin e kujtimeve të mia, që e kam në dorë dhe po e shkruaj.
Po me vëllanë tuaj Barak Obama keni jetuar dhe a mbani mend ndonjë gjë nga jeta juaj me të?
Edhe për këtë duhet të prisni librin me kujtime që po shkruaj.
Ju shkruani libra, i bini pianos, por keni pamjen e një repisti. Çfarë domethënie ka shalli që keni lidhur në kokë?
Është një kapele tradicionale nga Bali. Atje personi që e mban këtë kapele duhet trajtuar me respekt. Kur isha atje rashë në dashuri me pjesën tradicionale të atij vendi dhe kur këtë kapele e pashë atje, vendosa se dhe unë e doja një të tillë.