E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks në Psikiatri, 800 raste brenda 3 muajve

Problemet neurologjike kanë arritur pikun e tyre, sikurse edhe temperaturat e stinës ku gjendemi. Gjatë 3 muajve të fundit, maj, qershor dhe në dy javët e para të korrikut, pranë Spitalit të Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë kryer 800 urgjenca dhe konsulta. Sipas shefes së urgjencës së këtij shërbimi, Fatime Elezi, një pjesë e madhe e pacientëve janë shtruar në Pavijonin e Psikiatrisë. Megjithatë, Elezi thekson se këta të sëmurë janë të grupmoshave të ndryshme dhe dominojnë adoleshentët, të cilët vuajnë nga skizofrenia. “Në këtë tremujor janë paraqitur raste urgjente 346. Prej këtyre, disa janë shtrime, konsultat janë të planifikuara. Çdo ditë ka një mjek konsulent dhe në këtë tremujor janë realizuar 455 raste”, - pohon Elezi. Sipas saj, sëmundjet mendore, pikun në këto tre muaj e kanë arritur në muajin maj, ndërsa kanë donimuar çrregullimet e ankthit dhe depresionit. “Ka disa çrregullime psikiatrike si gjendja e ankthit apo depresive që në muajn maj kanë pikun e vet, ky është muaji më i ndjeshëm edhe për të shfaqur sjellje suicidale. Faktorët, kryesisht janë biologjikë”, -thekson mjekja psikiatre. Pak kohë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë në një studim të saj ka raportuar se nga 500 të intervistuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, vetëm 8% kanë pranuar se kanë kaluar probleme serioze të shëndetit mendor, ndërkohë që 75% e të pyeturve janë shprehur për gjendje stresi, ankthi e depresioni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›