Eli Fara: Vajzat kanë qenë më të pjekura dikur, sot gabojnë shpesh
Vera është stina e dasmave. Prandaj nuk është aspak e rastit atmosfera që sjell artistja e madhe e muzikës popullore, Eli Fara, në këngën e saj të re “Kush e ndezi dasmën”. Një këngë që i kushtohet momentit të celebrimit në martesë të një dashurie, shkruar nga Jorgo Papingji. Dhe për të cilën Eli është e kënaqur pasi falë insistimit të saj të gjitha instrumentet në këngë janë ‘live’. Më tej klipi i realizuar nga “MaxProdaction” e përshkruan më së miri këngën. Por në këtë klip Eli vjen edhe mjaft e kuruar në look dhe me veshje që dallojnë nga një skenë në tjetrën. “Kush e ndezi dasmën” vjen pas një tjetër kënge dasme, “Dasma e madhe”, që u kthye në hit verës që shkoi, të interpretuar nga Eli me këngëtarin nga Kosova, Sinan Vllasaliu, ndërsa këngëtarja premton se në vjeshtë do të sjellë një baladë. Por në këtë bisedë për gazetën “Mapo” këngëtarja Fara komenton edhe një deklaratë të saj të fundit, që është bërë objekt diskutimi në lidhje me mëmësinë. Për më tepër, le të ecim së bashku!
Eli, vini me një klip të ri këtë verë, me një këngë kushtuar dasmës. Përse sërish me këtë motiv, apo i shkon verës, stinës së dasmave ?
Është e vërtetë që jemi në stinën e dasmave dhe në verë patjetër që shkojnë këngë të gëzuara. Dhe cili është gëzimi më i madh në verë?! Pikërisht çifti që martohet. Kështu lindi ideja që në këtë verë të kishte një këngë për këtë tematikë, ku kënga mbështetet te motivet popullore të komplet Jugut, jo vetëm korçare (qesh). Ka motive labe, çame, ndërsa interpretimi është korçar.
“E qëllimshme” kjo për t’iu përshtatur të gjithëve?
Sigurisht edhe për t’iu përshtatur të gjitha këtyre zonave, por edhe sepse më pëlqejnë këto motive dhe janë të bukura në fakt. Prandaj e gjej të rastit të falenderoj edhe bashkëpunëtorët e mi. Kënga është realizuar në studion e Edi Balilit, me të cilin kemi komunikuar gjatë për të përzgjedhur motivet, ndërsa tekstin e ka bërë Jorgo Papingji. Insistimi im ishte që kënga të realizohej e gjitha me instrumente ‘live’ dhe kështu ka ndodhur, nuk ka elektoronikë në të, lahuta, violina, dajre, dhe pjesëmarrja e tre klarinetistëve të shquar ka bërë që kënga të tingëllojë më bukur. Gjithçka është punuar me kujdes dhe rezultati është ai që shihni (qesh).
Kënga ka disa javë që transmetohet në kanalet muzikore, si ka qenë impakti I saj?
Jam shumë e kënaqur, në fakt. Ka marrë urime të mira, kënga ka tingëlluar këndshëm.
Përsa i përket veshjeve, look-ut dhe hapësirës që realizohet kripi, ka qenë gjithçka ideja juaj?
Veshjet sigurisht që kanë qenë idetë e mia për t’i përzgjedhur, me flokët kam luajtur disi dhe më pëlqejnë edhe të mbledhura klasike, përsa i përket vendit ka qenë ekipi i MaxProdaction, të cilët edhe realizuan klipin, që zgjodhën atë ambient të gjelbëruar të Pezës për të xhiruar klipin. Ata krijuan atë atmosferën e këndshme të dasmës me çadra të bardha, tavolinat që lajmërojnë koktejlin e dasmës, të rinjtë që kërcejnë sjellin frymën e dasmës, atë çfarë përshkruan vetë kënga.
Edhe një vit më parë keni pasur një duet dasme me këngëtarin nga kosova Sinan Vllasalliu. Kjo këngë është si një vazhdimësi e suksesit të asaj kënge?
Sigurisht. Meqë ajo ishte një këngë mjaft e veçantë dhe që pati mjaft sukses si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, unë në kënaqësinë e asaj kënge vazhdova edhe këtë këngë.
Këngët e dasmës janë edhe më të preferuara Eli, në ambientet ku këndoni?
Po, besoj se të gjitha këngët popullore në përgjithësi këndohen në dasma. Këngët popullore që i flasin bukurisë së vajzës dhe dashurisë së çiftit, këngët me sevda dhe që përfundojnë në dasmë janë të vetëkuptueshme që janë pjesë e repertorit të pranueshme në çdo ambient, skenë e jo vetëm në dasma. Këto janë këngë tradicionale që janë pjesë edhe të koncerteve ku ne marrim pjesë.
Përsa u përket koncerteve verore, i keni nisur tashmë dhe e keni provuar këngën tuaj të re në këto ambiente?
Sigurisht që ka filluar. Por kam qenë e ftuar edhe në disa dasma, kështu që ka qenë e kuptueshme të këndoja dhe këngën “Kush e ndezi dasmën”. Dhe le të themi që ky ka qenë një promovim që unë e kam marrë reagimin menjëherë, pasi ka qenë testimi ‘live’ ku edhe feedback-u është po ‘live’. Një rast ka qenë në një dasmë të madhe në Prishtinë me 500 të ftuar dhe kam nisur repertorin tim me këtë këngë. Është pritur mjaft mirë që me interpretimin e parë dhe ky është vlerësimi më i mirë që merr artisti, kur e merr impaktin menjëherë. Gëzimi dhe motivimi është edhe më i madh.
Do të vazhdoni në linjën e dasmave, apo ndoshta së shpejti do të presim edhe ndonjë baladë nga ju, siç është “Vjeshta”?
Patjetër që do të sjell edhe balada. Madje, mua do të më pëlqente të vija me një baladë edhe tani, por nuk është e përshtatshme për stinën e verës. Unë vetë baladën e përfytyroj në vjeshtë, në atmosferën e Krishtlindjes apo Vitit të Ri, kur njerëzit janë edhe më shpirtërorë edhe më të ndjeshëm, atmosfera është më intime me ato dritat që ndizen dhe më pëlqen që në atë atmosferë unë të rrotullohem nëpër ambiente me një këngë baladë, siç përmendët “Vjeshtën”. Dhe e kam një projekt të tillë që shpresoj që nga shtatori të filloj të punoj për këtë projekt me shpresë që ta kem gati për në stinën që do të vijë.
Eli, do të doja të shkëputeshim pak nga konteksti I intervistës, për t’ju pyetur për një deklaratë që keni bërë ju në një emision në lidhje me faktin që jeni bërë herët nënë. Jeni penduar për këtë gjë?
Nuk është pendim. Ndoshta është gabim, por jo pendim. Sepse kjo puna e pishmanit është keqkuptuar krejtësisht. Atyre që e kanë komentuar doja t’u thosha që varet si e kupton një shprehje. Thënia është absolutisht në këtë këndvështrim, që një femër duhet të jetë e pjekur, duhet të mendojë kur e bën fëmijën, në mënyrë që të falë kënaqësi dhe të marrë kënaqësinë e duhur, gjë e cila nuk ndodh kur je adoleshente. Unë kam qenë adoleshente kur jam bërë nënë atëherë. Dhe sot në pozitat që ndodhem dhe që i shoh gjërat më mirë dhe më me pjekuri e them që në momentin që një vajzë do të bëhet nënë duhet të jetë e pjekur për të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Ky ka qenë mesazhi që u kam dhënë femrave të tjera, por jo se jam penduar siç edhe është keqinterpretuar, një frazë e shkëputur krejtësisht nga konteksti.
Nga këndvështrimi juaj, sot femrat janë më të pjekura apo kanë qenë më tepër ato të brezit tuaj?
Jo, nuk janë aspak më të pjekura. Nuk e besoj këtë. Unë vetë, edhe pse jam bërë nënë shumë e re, unë dhe brezi im kemi qenë më të pjekura në atë kohë, sepse funksiononim ndryshe, ishte një shoqëri, një sistem krejt ndryshe, që ti ishe e fortë që kur lindje. Sot rinia është mjaft delikate dhe shpesh e shohim që gabon, sidomos në rastet kur bëhen nëna të reja!