E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vëllain e qëlluan dhe e hodhën nga makina”

04/06/2009  Dëshmia e vëllait të Edmon Aliajt, policit të rrëmbyer e masakruar në Qafë-Gjashtë

Në seancë dëshmon edhe ish-shefi i komisariatit të policisë së Sarandës

TIRANË- Dëshmi të reja kanë ardhur dje në procesin gjyqësor kundër të pandehurve akuzuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qafë-Gjashtë Sarandë në vitin e trazirave 1997, në muajin mars. Ka qenë një numër i madhe dëshmitarësh të ardhur nga Saranda dhe Vlora. Prokuroria është duke hedhur dritë mbi disa të vërteta për këtë ngjarje, ndërsa dje pyeti me cilësinë e dëshmitarit edhe vëllain e njërit prej personazheve të kësaj ngjarjeje që dyshohet se u rrëmbye nga të pandehurit dhe më pas u shpëtua me ndërhyrjen e të fortit të Vlorës Zani Çaushi. Mes dëshmitarëve të parë të këtij procesi që ishin tre, ndodhej edhe vëllai i Eduart Alisë, Jaho Alia. Po dje dëshmoi edhe një ish-shef komisariati në Sarandë dhe një banor i këtij qyteti. Tregimet kanë qenë jo të drejtpërdrejta. Dëshmitarët janë munduar të sjellin para gjykatës ato dëshmi, të cilat i kanë mësuar nëpërmjet njerëzve të tjerë.

Vëllai i policit

Por Jaho Alia i tha gjykatës se e ka parë me sytë e tij vëllain e keqtrajtuar dhe me shenja në trup. Ka rrëfyer çdo detaj që nga momenti se si e mësoi ngjarjen dhe më tej me mënyrën se si i shpëtoi vëllai personave keqbërës. “Lajmin e morëm vesh nga djali i hallës, i cili erdhi në shtëpi dhe na tha që Eduartin e kishin marrë peng në Sarandë dhe nuk dinin nëse ai ishte gjallë apo kishte vdekur. Pasi kam marrë vesh këtë lajm jam nisur menjëherë për në Sarandë, ku në Himarë kam takuar dajën, i cili më tha se Eduardi ndodhej në spital, si dhe më kërkoi që të kthehesha në Vlorë, pasi në Sarandë ishte e pamundur që të hyje”, tha dje Jaho Aliaj. Jaho Alia i tha dje gjykatës se vëllai i tij kishte dalë tepër i tronditur nga rrëmbimi dhe nuk kishte dashur asnjëherë të fliste rreth ngjarjes dhe mënyrës se si arriti të shpëtonte. Më tej ai tregoi se Eduarti nuk kishte pranuar që të fliste për këtë temë, prandaj kishte mësuar shumë pak gjëra në lidhje me këtë ngjarje. “Edi më ka treguar se kur kanë qenë tek “Turizmi”, i kishin dalë disa persona përpara, me të cilët kishin pasur debat, por më pas ata ishin larguar. Kur kishin shkuar në Qafë-Gjashtë ishin qëlluar nga persona të armatosur. Vëllai im fillimisht është goditur dhe më pas është hedhur nga makina e tij, duke u fshehur pas një muri derisa gjithçka ka përfunduar. Po ashtu ai është mbajtur në një dhomë i lidhur dhe me roje”, ka vazhduar më pas Aliaj. Ai ka treguar se kur vëllai i tij ishte kthyer në Vlorë, kishte pasur shenja plagësh në kokë dhe në kurriz. Po ashtu ai tregoi se vëllain e tij e kishte sjellë në Vlorë Zani Çaushi.

Ish-shefi i komisariatit

Dëshmitari i radhës i akuzës ishte Mustafa Golemi, ish shefi i komisariatit Sarandë. “Ditën e ngjarjes kam parë njerëz të armatosur që shkonin drejt Qafë-Gjashtës. Meqenëse mes tyre kishte dhe fëmijë dhe adoleshente me armë, kam shkuar pas tyre. Aty kam parë më shumë se 1000 persona, kam parë një makinë të djegur plotësisht. Më larg tyre kam parë disa njerëz, në mes të tyre qëndronte një person, të cilit i bërtisnin dhe e incizonin”, tregoi Golemi. Golemi tha se pas kësaj ngjarjeje është emëruar shef komisariati në Sarandë. Ndërsa shpjegoi se kanë qenë vartësit e tij ata që i kanë treguar se në Sarandë po ndodhte një përleshje me armë. Dëshmitari i fundit ishte Pëllumb Kolonja. Kolonja, mësohet se kishte filluar punë në mënyrë vullnetare në Policinë e Sarandës në datë 16 mars të vitit 1997. Para gjykatës dëshmitari deklaroi se nuk kishte dijeni për ngjarjen pasi në ato momente kishte qenë në banesën e tij. Dëshmitari i tregoi gjykatës se ka parë me sytë e tij Vladimir Sinanin, i cili mbante të izoluar Eduart Alinë dhe e keqtrajtonte. “Unë kam vajtur në spital dhe kam parë me sytë e mi kur Sinani e rrihte Alinë”. Aliaj tha dëshmitari mbahej i lidhur me pranga në krevat dhe keqtrajtohej nga personat, të cilët sot ndodhen në bankën e të akuzuarve.

Të pandehurit, akuzat

Masakra e Qafë-Gjashtës,

policët luftë me banda

Në seancat e mëparshme është bërë prezantimi i palëve në proces, ku të pandehur si autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë janë, Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir Këndezi), Aleksandër Bala dhe Riston Llapa. Ata akuzohen për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", ndaj punonjësit të policisë gjatë detyrës të kryer në bashkëpunim, "vrasje në rrethana të tjera cilësuese", të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë gjatë detyrës, mbajtje pa leje të armëve luftarake, rrëmbim personi dhe plagosje të rëndë me dashje. Shumë prej të pandehurve janë arrestuar një vit më parë në një operacion të policisë së shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Edmond Seiko ka rrëfyer në dëshminë e tij të datës 13 nëntor 2007, para oficerit të Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Sipas kësaj dëshmie, atë ditë Edmond Sejko së bashku me kunatin e vet dhe me një shok tjetër i kanë dalë përpara dy makinave të policisë duke i ndaluar. Sejko tregon se ka qenë i armatosur dhe në momentin që i ka drejtuar armën policisë, është gjendur përballë një realiteti tjetër. Punonjësit e policisë që u sulmuan në vendin e quajtur Qafë Gjashtë në Sarandë vinin nga Vlora. Deri tani nuk dihet ende se kush ka qenë destinacioni i vërtet i tyre, por gjatë hetimeve është folur se katër punonjësit e policisë kishin dalë për të vëzhguar pasi ishin në detyrë. Mes tyre dhe disa shtetasve nga Saranda ka ndodhur një përplasje. Nisur nga kjo përplasje që ndodhi në dalje të qytetit, efektivët kanë menduar që të marrin me vete Edmond Seikon dhe dëshmitarin Fatos Mahmutaj, në mënyrë që të siguronin kalimin e tyre pa probleme nga Saranda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›