E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi në minus

Vëllaznimi shkëlqeu në sezonin vjeshtor, por gjatë pushimit dimëror, situata në këtë klub ka filluar të ndryshojë për të keq. Përveçqë ende nuk janë përforcuar me asnjë lojtar, gjakovarët kanë mbetur pa tre të tillë. Madje, kuqezinjtë rrezikojnë t’i humbasin edhe disa futbollistë të tjerë. Megjithëkëtë, krerët e klubit mohojnë të jenë në krizë dhe vazhdojnë të premtojnë përforcime.

Viteve të fundit, Vëllaznimi nuk po tregohet i qëndrueshëm për një edicion të plotë. Në kampionatet e kaluara, klubi gjakovar zakonisht në pjesën e parë të edicionit përjetonte krizë të madhe në çdo aspekt, por në pjesën e dytë mobilizohej, dhe ia dilte disi ta siguronte mbijetesën në Superligë.

Në dallim prej atyre edicioneve, sivjet Vëllaznimi shkëlqeu në pjesën e parë të kampionatit, duke e shpallur kandidaturën e vet për titull të kampionit. Por, situata në stadiumin e qytetit në Gjakovë duket se është përkeqësuar gjatë pushimit dimëror, dhe si rrjedhojë e kësaj, ekipi kuqezi mund ta humbasë hapin nga lufta për titull të kampionit.

Në fakt, pas përfundimit të sezonit vjeshtor, kuqezinjtë kishin paralajmëruar përforcime për pjesën e dytë të kampionatit. Por, përveçqë deri më tani nuk e kanë bërë asnjë përforcim, gjakovarët i kanë humbur tre futbollistë: Nikoll Dushin, Alban Xharavinën dhe Rilind Junikun. Madje, i pa sigurt qëndrimi në këtë ekip është edhe i Fisnik Papuqit, Roland Durakut, Robert Gjerajt dhe kapitenit, Atdhe Gashit.

Megjithatë, krerët e klubit mohojnë të jenë në krizë. Madje, ata thonë se nuk do të ketë largime të tjera nga kampi kuqezi. “Vetëm ata tre lojtarë janë liruar. Me gjithë lojtarët e tjerë do të kryhen detajet më së largu deri më 20 janar dhe largime nuk do të ketë”, deklaroi për Express, zyrtari i lartë i Vëllaznimit, Ahmet Morina, i cili mohoi thashethemet se Vëllaznimi po përballet me krizë financiare.

“Sikurse në vjeshtë, situata në klubin tonë edhe sot është e njëjtë dhe e ngjashme do të jetë deri në fund të kampionatit. Ata që parashikojnë rënien e Vëllaznimit, do të gabojnë, sepse sivjet klubi është mirë i organizuar dhe deri në fund nuk do të ndalemi nga rruga të cilën e kemi nisur, pra drejt kreut të tabelës së klasifikimit”, theksoi Morina.

Ai e arsyetoi ngecjen që është bërë në aspektin e përforcimeve. “Kemi paralajmëruar përforcime dhe do t’i bëjmë ato. Të paktën do të përforcohemi me tre lojtarë të fortë. Është e vërtetë se deri më tani nuk e kemi transferuar asnjë lojtar, dhe arsyeja kryesore është tregu i varfër. Por, ne nuk do të ndalemi dhe do t’i bëjmë përforcimet e qëlluara”, përfundoi Morina.

Vëllaznimi ishte njëri prej ekipeve që kontribuoi në ‘zbukurimin’ e garave gjatë sezonit vjeshtor, të cilin e përfundoi duke u pozicionuar në vendin e katërt të renditjes tabelore me 29 pikë të tubuara, pesë më pak sesa lideri Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›