E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi paralajmëron dënime

Pas disa rezultateve të mira, Vëllaznimi e ka marrë një ‘shpullë’ të dielën në Mitrovicë, ku pësoi humbje të thellë nga Trepça ’89, me rezultat 5:0. Kjo humbje ishte e dyta me rezultat të thellë këtë sezon, pas asaj nga Prishtina (4:1).

Për këtë, drejtuesit e klubit janë mllefosur dhe për ta nuk ka më pardon, pasi që gjakovarët kanë pretendime serioze këtë edicion garash. Gjatë javës do të mblidhet kryesia dhe do të merren masa ndaj lojtarëve, për humbjen turpëruese nga ‘Xehetarët’’.

“Kjo është një humbje e paarsyeshme. Shumë shpejt do të mblidhet kryesia dhe do ta shqyrtojë këtë humbje. Natyrisht, dikush do ta pësojë. Do të ketë dënime, por edhe ndryshime në ekip”, deklaroi për Express zyrtari i Vëllaznimit, Ahmet Morina.

Ai paralajmëroi se, pas përfundimit të sezonit vjeshtor, tek Kuqezinjtë do të ketë largime të lojtarëve dhe do të arrijnë disa përforcime në dimër. Xhiron e ardhshme, e fundit për këtë pjesë të sezonit, që zhvillohet në mesjavë, Vëllaznimi do të luajë ndaj kampionit në fuqi, Hysi, në Merdarë. Aktualisht, gjakovarët gjenden në pozitën e tretë në tabelë me 29 pikë të grumbulluara, 4 më pak se kryesuesi, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›