E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi shkarkon Shëngylin

Skënder Shëngyli është shkarkuar nga detyra e trajnerit në Vëllaznim. Skuadra gjakovare largimin e trajnerit prizrenas e arsyeton me mungesën e rezultateve dhe nivelin e dobët të lojës. Ndërsa Shëngyli ka thënë se e këtë vendim e kanë marrë njerëzit që s’kanë lidhje me futboll.

Vëllaznimi i ka dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin Skënder Shëngyli, të cilin e ka shkarkuar të hënën në mesditë, bashkë me dy ndihmësit e tij, Luan Tabaku dhe Arben Lleshi.

Kryesia e klubit gjakovar, në mbledhjen e vet të jashtëzakonshme e ka analizuar në detaje rrjedhën e deritashme të kampionatit dhe njëzëri ka konstatuar se lojërat e demonstruara të ekipit dhe rezultatet e arritura janë dukshëm nën nivelin e ambicieve me të cilat është startuar në këtë kampionat.

“Në 11 ndeshje, vetëm tri fitore, edhe pse 6 ndeshje janë zhvilluar në Gjakovë, vetëm 13 pikë të arkëtuara dhe vetëm 6 gola të shënuara, që është për çdo kritikë. Kryesia e klubit e ka vlerësuar këtë si dështim të plotë, aq më tepër kur këto rezultate të dobëta janë përcjellë edhe me nivelin e dobët të lojës së skuadrës”, shkruan në njoftimin e klubit gjakovar.

“Kryesia ka vlerësuar se barrën kryesore të fajit për lojëra dhe rezultate të dobëta e bart shtabi teknik i skuadrës. Ai nuk ia ka dalë që futbollistët t’i përgatisë sa dhe si duhet fizikisht, kështu që në shumicën e ndeshjeve ata kanë qenë inferiorë në raport me kundërshtarët në aspektin e përgatitjes fizike. Nuk ia ka arrit të formojë një stil të lojës së skuadrës si dhe ka pasur dështime në komponimin e njëmbëdhjetëshit të skuadrës dhe në zëvendësimin e lojtarëve”, vazhdon arsyetimi i Kuqezinjve.

Në anën tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit Skënder Shëngyli, i cili as që e kishte idenë se ishte marrë vendimi që të shkarkohet. “Unë nga ju po e marr vesh. Ndodh edhe kjo, që gazetari ta marrë vesh më shpejt se trajneri. Kjo është joserioze, jonjerëzore dhe josportive. Është mëkat që njerëzit që nuk kanë lidhje me futboll marrin vendime, duke ta njollosur punën, profesionin dhe emrin”, ka thënë trajneri prizrenas, i revoltuar.

“Siç dihet, stërvitjet i kemi filluar me vonesë dhe unë mendoj se nuk kemi shkuar keq. Që në fillim kam thënë se na nevojiten lojtarë, të cilët nuk i kishim në këto 11 xhiro. E kishim vetëm një gjysmë sulmues. Është e vërtetë se kemi shënuar më së paku gola, por edhe kemi pranuar më së paku. Si mund ta marrin këtë vendim ata njerëz që nuk kanë qenë të pranishëm në ndeshjet tona?” vazhdoi Shëngyli.

Sipas tij, klubi nuk i ka vënë ndonjë ambicie në fillim të sezonit dhe ka vendosur që të llogarisë në lojtarë të rinj, shumica vendorë. Ndërkohë, gjakovarët kanë paralajmëruar se shumë shpejt do ta emërojnë trajnerin e ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›