Kosova e Drenica befasojnë për të keq

Të dielën ka përfunduar rrethi i parë i ndeshjeve të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Në këtë periudhë, prej 11 xhirosh, pati ekipe që befasuan për të mirë, por edhe për të keq. Llamkos Kosova dhe Drenica ishin dy skuadrat që dështuan në këtë periudhë.
Vushtrriasit, përkundër përforcimeve të bëra gjatë verës, nuk ia dolën assesi ta gjejnë veten. Ata e shënuan vetëm një fitore në xhiron e dytë ndaj Lirisë, ndërsa në nëntë xhirot vijuese kanë ‘agjëruar’ duke regjistruar katër barazime e gjashtë humbje, për ta zënë pozitën e fundit në tabelë me 7 pikë. Për këtë mungesë rezultati, drejtuesit e klubit vushtrrias i kanë akuzuar gjyqtarët, të cilët, sipas tyre, i kanë dëmtuar në disa ndeshje.
Ndërkaq, as drenicasit nuk kaluan aspak më mirë. Kuqezinjtë e kanë harruar fitoren, pasi ajo daton që nga xhiroja e parë ndaj Hajvalisë. Në dhjetë xhirot pasuese, ekipi i Tahir Lushtakut është bërë specialist i barazimeve dhe nuk diti se çka është fitorja, duke u ndarë ‘X’ shtatë herë dhe duke pësuar tri humbje për t’u renditur në vendin e nëntë me 10 pikë. Drenicasit thonë se po u mungon fati, por jo edhe loja e mirë, për këto rezultate jo të favorshme.
Hysi befasoi për të mirë
Ndërkohë, për dallim nga vushtrriasit dhe drenicasit, Hysi po befason për të mirë. Largimet e shumta gjatë verës nuk e penguan trajnerin Hysni Maxhuni që me lojtarë të rinj dhe të papërvojë të sigurojë rezultate pozitive, të cilat i lanë gojëhapur të gjithë. Skuadra llapjane ka shënuar 4 fitore, ka barazuar në 4 të tjera dhe ka pësuar tri humbje, duke tubuar 16 pikë.
Trepça ’89 e Prishtina, lufta për titull
Në 11 xhirot e para ka dalë në pah sadopak cilësia dhe fuqia e të gjitha ekipeve. Trepça ’89 dhe Prishtina duket të jenë ekipet më të forta. Mitrovicasit prijnë në tabelë me 24 pikë, duke shënuar 7 fitore, 3 barazime dhe duke e pësuar vetëm një humbje. Kurse kampioni aktual po ashtu u tregua i suksesshëm, duke mbetur vetëm një pikë prapa ‘Xehetarëve’ me 7 fitore, 2 barazime e 2 humbje, me 23 pikë.