E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllimi i katërt Veshje popullore shqiptare mbyll panoramën e kulturës shqiptare

 Korpusi për trashëgiminë kulturore pritet të plotësohet me botimin e fundit
Në kuadrin e hartimit të korpuseve të Trashëgimisë kulturore shqiptare Instituti i Studimeve Antropologjike Kulturore dhe i Artit prej vitesh ka ndërmarrë një iniciativë për të botuar dhe vëllimin e katërt për trashëgiminë kulturore. Kjo nismë ka bërë të mundur që midis korpuseve shqiptare të bëhet e mundur edhe përfundimi i vëllimit me veshje popullore kosovare. Korpusi Veshje popullore deri tani sipas etnografes së këtij institucioni prof. Afërdita Onuzi, ka nxjerrë tre vëllime që janë botuar, në të cilat janë përfshirë veshjet popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë të ndara me qytete. Për vëllimin e katërt puna ka përfunduar dhe pritet dhe botimi i tij së shpejti dhe të jetë pranë lexuesve, e ndërkohë që i pesti sipas saj nëse do të krijohen mundësitë deri në fund të këtij viti dhe ai do të jetë i përfunduar dhe bëhet fjalë pikërisht për vëllimin me veshjet kosovare. Puna për këto vëllime ka mbi 40 vite që ka filluar nga krahinat e jugut të Shqipërisë, sepse veshjet popullore aty kanë dalë më shpejt. Qytetet që u përfshinë në këtë vëllim ishin Saranda, Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Lushnja, Fieri dhe Berati. Vëllimi i dytë përfshin veshjet e krahinave të Korçës, Kolonjës, Gramshit, Skraparit, Pogradecit dhe Librazhdit. Në vëllimin e tretë bëjnë pjesë veshjet popullore të Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit dhe Dibrës. Ndërsa për vëllimin që pritet të botohet, që është ai i katërti janë qytetet e tjera si Lezha, Mirdita, Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, Tropoja dhe Kukësi. Etnografja Onuzi tregon se albumi me veshjet kosovare do të ketë edhe një shtojcë, e cila do të përmbajë veshjet popullore të fshatrave perëndimore të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi. Siç tregon vetë prof. Afërdita Onuzi, ekspedita u zhvillua në kuadër të një projekti të madh kombëtar për hartimin e një korpusi për veshjet popullore shqiptare,i cili kishte si qëllim nxjerrjen në dritë të katër vëllimeve-albume, tre prej të cilëve kanë përfunduar, për plotësimin e gjithë panoramës së kulturës popullore të veshjeve në gjendjen aktuale që paraqiten me veçoritë e tiparet dalluese, ndërkohë që pritet dhe i katërti të përfundojë së shpjeti. Tre prej albumeve kanë fiksuar tashmë kostumet e zonave të jugut të vendit si dhe të Shqipërisë së Mesme e Veriperëndimore. Albumi aktual do të përfshijë rrethet Lezhë, Shkodër, Mirditë, Malësi e Madhe, Kukës, Pukë, Has dhe Tropojë. Gjithashtu i njëjti projekt parashikon hartimin e një vëllimi të pestë me kostume të Kosovës, për të cilat prej pak kohësh ka nisur edhe realizimi. Janë fiksuar kështu veshje grash dhe burrash të Lumës dhe zona të tjera etnografike në momente të ndryshme pune dhe mosha të ndryshme po ashtu, pohon prof.Onuzi. Më tej ajo shton se: Nuk bëjmë thjeshtë fotografi, por synohet të paraqitet ekonomia tradicionale e rrethit, mjeshtëritë popullore e kështu me radhë. Kostumet i fotografojmë në mjediset ku kanë bërë jetën e tyre, në sfondin real. Fotografojmë gjithashtu edhe pjesë të veçanta të veshjeve që paraqesin vlera të caktuara artistike.  Duke folur për botimin e katërt ajo tregon se: Ky botim realisht meriton vëmendje, meriton përkujdesje për ta realizuar përfundimisht. Në momentet që ne po flasim është bërë fotografimi i kostumeve. Secili nga autorët ka realizuar fotografinë në terren dhe pjesë të veçanta që plotësojnë veshjet e plota dhe po punojnë. Dikush e ka përfunduar dhe parathënien studimore dhe dikush është duke përfunduar dhe besoj që në fund të muajit korrik ai duhet të jetë i gatshëm. Ne presim vetëm të kemi mundësinë që të na jepen paratë e caktuara për këtë botim, që janë rreth 6 milion lekë të reja. Nëse këto para do të jenë ne në fund të viti do të kemi në dorë vëllimin e katërt, i cili përmbyll të gjitha veshjet e krahinave brenda kufijve të Shqipërisë. Ky është një botim madhor, një korpus siç e kemi quajtur ne dhe përbëhet nga katër vëllime. Sipas saj puna për përgatitjen e këtyre vëllimeve ka pasur dhe shumë vështirësi. Puna për përgatitjen e këtyre vëllimeve është një punë prej më shumë se 40 vitesh, që ka të bëjë me gjurmime në terren, nga të gjithë etnografët shqiptarë dhe ka pasur vështirësitë e saj. Sigurisht që janë shfrytëzuar dhe studime, monografi apo artikuj rreth veshjeve, sepse nuk është thjesht një proces i thjeshtë fotografimi, por është një punë e madhe studimore për caktuar rrethinat kostumologjike, pra shtrirja e një tipi kostumi dhe proceset e evolucionin e veshjeve popullore. Njëkohësisht dhe për vlerat artiske të këtyre kostumeve ose paralelet mes krahinave, ku ka shtirje një tip veshje apo një tip tjetër. Kështu veshja me fustanellë që ne jemi mësuar ta shohim vetëm në jug, kur ajo ka pasur një shtrirje mbarëshqiptare. Përtej nga Kosova deri në Gjirin e Artës. Këtë e dëshmojnë studimet, fotografitë e vjetra të ruajtura, por se ajo ka pasur një ndryshim të tillë që sa më në veri ajo ka qenë dhe më e gjatë dhe më në jug duke u shkurtuar, tregon prof. Onuzi. Më tej ajo tregon se për vëllimin e katërt një numër veshjesh u morën nga muzeu i rrethit të Kukësit, i cili edhe ashtu në gjendje magazine që ndodhet, ofron një pasuri të konsiderueshme etnografike të zonave që përfshin. Më tej një muze modest në fshatin Përbeg të këtij rrethi ka ofruar elemente të kulturës materiale, që shërbejnë si sfond dhe përbërje harmonike të veshjeve të traditës.                   

Last Updated on Saturday, 11 July 2009 16:03

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›