E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Naftë pa akcizë për fshatin

Kreu socialist ka qenë në Novoselë të Vlorës, ku ka prezantuar disa nga zgjedhjet që jep programi për bujqësinë.

Politika shqiptare ka dalë nga shoku që pësoi nga vrasja e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, dhe dje i është rikthyer aktivitetit të saj politik, në kuadër edhe të fushatës elektorale. Përveç homazheve të zhvilluara në nderim të dëshmorëve të atdheut, kreu socialist ka rinisur aty ku e ka lënë turin e prezantimit të programit elektoral dhe qeverisës.

Ai është ndalur në Novoselë të Vlorës, ku ka zhvilluar një takim me banorët e zonës, kryesisht në lidhje me problemet që shqetësojnë fshatin shqiptar sot.


Rama dhe drejtuesit e lartë të PS-së që e shoqëronin në Novoselë, janë shprehur se me programin e ri të socialistëve do të ketë ritme të reja të rritjes në fshat.

Zhvillimi nuk do të jetë më i pabalancuar, por përkundrazi, do të synohet një zhvillim harmonik, në mënyrë që të mos thellohet më tej pabarazia sociale.

Rama ka treguar disa pika të dokumentit të ri qeverisës të socialistëve lidhur me uljen e kostove të prodhimit, si dhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit përmes politikave të reja në sektorin e bujqësisë.

"Do të ulim edhe koston tërësore të prodhimit, duke nxitur përmes mbështetjes financiare rritjen e njësive të prodhimit dhe njëkohësisht, duke nxitur me politika të reja, edhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit", - tha Rama.

Në Novoselë, ai ka ripërsëritur dhe heqjen e akcizës së naftës, duke rikujtuar edhe premtimet e pambajtura të së djathtës që sot ka pushtetin. "Sali Berisha, në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë.

Ai premtoi se me të marrë votën tuaj, do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Dhe ajo që ndodhi, siç ndodh me të gjitha premtimet e Sali Berishës, ishte që jo vetëm nafta nuk zbriti, por përkundrazi, çmimi i saj u dyfishua e u trefishua, dhe ju mbetët në mes të katër rrugëve. Unë e ndiej pamundësinë tuaj dhe për këtë arsye do ta ulim çmimin e naftës për fshatin, duke hequr akcizën", - tha Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›