Kapet në shtëpinë e motrës, i dënuari për grabitje dhe vrasje
Arrestohet nga forcat e policisë së kryeqytetit Çuni, 27 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg, për grabitje me pasojë vrasjen e një personi në kryeqytet. Arrestimi i tij është bërë i ditur për mediat dje nga policia e kryeqytetit nëpërmjet një deklarimi zyrtar të saj pas arrestimit të të kërkuarit.
Çuni ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit të Tiranës për veprën penale të grabitjes me dhunë me pasojë vdekjen e një personi. Ngjarja: Arrestimi i 27- vjeçarit që banonte në Tiranë u krye dje në Mamurras në banesën e motrës së tij pas një operacioni të Policisë së Tiranës. Gjykata e Apelit e ka dënuar me një vendim të formës së prerë Eduart Çunin që më 25 tetor 2005, me 15 vjet burgim për akuzën e vrasjes dhe grabitjes.
Pas informacioneve të policisë për vendndodhjen e të kërkuarit, është realizuar një operacion që ka çuar në arrestimin e të kërkuarit prej më shumë se 5 vjetësh. Oficerët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe të Kërkimit në Policinë e Tiranës realizuan kapjen e të kërkuarit për vrasje dhe grabitje, pasi ky person ishte shpallur në kërkim që në vitin 2004 nga policia e kryeqytetit pasi kishte kryer më parë një vit burg.
Eduart Çuni ka fituar lirinë që në vitin 2004 duke lënë qelitë e Burgut 325 në Tiranë, por ai është shpallur përsëri në kërkim nga policia për akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen, duke u ridënuar me 15 vjet heqje lirie nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Eduart Çuni pas qëndrimit në arrati për 5 vjet, do të kthehet në qelitë e burgut për të vuajtur dënimin e mbetur.