Nga 1 korriku buxhetorëve u rritet paga nga 4-7%
“Pagat për rreth 100 mijë buxhetorë, duke filluar nga 1 korriku, do të rriten 4-7 %”.
Qeveria është e vendosur që me një disiplinë të fortë të përdorimit të buxhetit, të procedojë edhe këtë vit me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se “rritjen më të madhe do të pësojnë rrogat e ulëta, ndërsa rrogat e zyrtarëve më të lartë do të rriten aq sa është niveli i inflacionit”. “Performanca e mire fiskale në 5 muajt e parë të këtij viti do të jetë edhe një shtysë më shumë për zbatimin e programit të qeverisë për rritje pagash në muajin korrik”- theksuan burimet.
Drafti për rishikimin e buxhetit do të dorëzohet sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të nisin edhe diskutimet mbi të. P/buxheti i rishikuar do të miratohet brenda muajit korrik në Parlament.
Në draftin e hartuar nga ministria e Financave parashikohet që shpenzimet të ulen me rreth 20 miliardë lekë. “Ne kemi filluar punën për rishikimin e buxhetit të viti 2011. Dhe shifrat janë rreth 20 miliardë lekë, për të mbajtur atë objektiv që ne kemi deklaruar për të mos rritur deficitin këtë vit. Kjo do të thotë që vlerësimi i pritshmërisë të të ardhurave të vitit është i përafërt ose i njëjtë me atë që ka projektuar Fondi, Banka dhe atë që kemi programuar edhe në muajt e mëparshëm”- sqaroi ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një konference për shtyp rreth 2 javë më parë.
Sipas tij, rishikimet do të jenë të përvitshme dhe praktika të mira e transparente janë ato që rishikohen buxhetet çdo vit, në mes të vitit.
Bode theksoi se këto rishikime nuk ndodhin këtë vit për herë të parë, por që nga buxheti i vitit 2006. “Kanë qenë disa vite që rishikimet kanë qenë në shtesë dhe në dy vitet e fundit rishikimet janë në drejtim të shkurtimeve”- theksoi Bode. Ai u shpreh se kjo reflekton jo vetëm programimet optimiste që ka Ministria e Financave, ose me saktë që ka Shqipëria, pasi nuk është ministria ajo që bën të gjitha projektimet, por reflekton edhe një situatë më optimiste, të pritshme me zhvillimet e tregjeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Në buxhetin e shtetit për vitin 2011 të miratuar të ardhurat llogariteshin 362 223 milionë lekë, shpenzimet 409 035 milionë lekë dhe defiçiti 46 812 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga pushteti vendor llogariteshin 31 772 milionë lekë.