Rama në prag të pensionit – lëshon grahmën e fundit ndaj Kolegjit Zgjedhor. PD: Lulzim Basha do jetë një kryebashkiak ndryshe

-- Reagimi i PD/Jorida Tabaku: Rama është jashtë realitetit – qytetarët s’e votojnë prej 2 vitesh
-- Mesila Doda: Edi Rama, i lodhshëm për qytetarët – Lulzim Basha do jetë një kryebashkiak ndryshe
Pensioni politik po i afron, ndërsa fortuna e vjeshtës në parti, do e detyrojë të marrë përgjegjësitë e dështimit të opozitës në zgjedhjet vendore të 8 majit. Përpos krizës së brendshme dhe opinioneve të deputetëve “rebelë” se Edi Rama i humbi PS-së në Tiranë më shumë se 20 mijë vota dhe në rang kombëtar 140 mijë vota, kryetari në detyrë i PS vazhdon të pretendojë se është ai “fitues”. Një ditë para se Kolegji Zgjedhor t’i japë fund betejës elektorale për bashkinë e Tiranës, kryetari i PS-së dhe njëherazi kandidati që humbi më 8 maj, Edi Rama, lëshon kërcënimin e fundit ndaj Gjykatës Zgjedhore. Përmes një deklarate për mediat sot, z.Rama tha se Kolegji duhet të shprehet në favor të kërkesës së juristëve të tij, pasi në të kundër çdo vendim tjetër, ai do ta kontestojë. Duke aluduar në mënyrë spekulative për gjoja presion ndaj 5 gjykatësve të Kolegjit, kreu i opozitës kërkoi zbatimin e ligjit dhe kushtetutës së vendit. “Presim nga Kolegji drejtësinë ende të munguar e cila prej javësh lëngon mes kapitullimit përballë presionit të pushtetit dhe detyrimit kushetutes përpara popullit sovran”- theksoi Rama. Ai gjithashtu i ka bërë apel gjykatësve të respektojnë Kushtetutën dhe të mos e ligjërojnë rezultatin haptas të KQZ, e as standardet kombëtare të miratuara nga Komisioni Venecias për mospërputhje shifrash dhe të mos shpikin një tjetër standard. “Të respektojnë vetë precedentët e paravendosur prej atyre vetë në po këto zgjedhje për të njëjtin rast papërputhshëmrie në disa njësi vendore ku të 5 gjykatësit kanë vendosur pavlefshmërinë, duke detyruar përsëritjen e zgjedhjeve dhe të mos hyjnë në histori për vetmohim në paligjshmëri”- tha më tej ai. Një ditë më parë edhe zëdhënësi i opozitës së bashkuar, i paudhi Spartak Ngjela evoluoi nga mbrojtja e votës me pushkë sipas Jeffersonit, tek administrimi sipas dëshirës i Stalinit. Në mënyrë harbute kërkojnë të shpallet fitues ai që s’është votuar nga 93 qytetarët që bënë diferencën. Kësisoj, s’do shumë mend për të kuptuar se si janë punët brenda opozitës dhe veçanërisht brenda Partisë Socialiste, ku të gjithë kanë kryqëzuar kryetarin në detyrë, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për masakrën elektorale të PS, si dhe t’i kërkojë votëbesim bazës socialiste.
Reagimi i PD/Jorida Tabaku: Rama është jashtë realitetit – qytetarët s’e votojnë prej 2 vitesh
Deklarata për shtyp e këshilltares demokrate në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku
“Në Tiranë vendosën qytetarët dhe jo politikanët” “Edhe sot z.Rama vazhdoi avazin e tij të vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron. Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i prapranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin. Ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri. Ka mbyllur sytë dhe veshët para komunitetit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht dhe pa asnjë mëdyshje janë shprehur se të gjithë palët duhet të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit, dhe të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura. Partia Demokratike ka përshëndetur faktin se në kryeqytet fitoi demokracia, ku, pas një procesi ligjor dhe transparent u dëgjua zëri i të gjithë qytetarëve dhe u numërua çdo votë. Në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që z.Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm. Në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale. Përse pas numërimit të çdo vote z.Rama kërkon të nxjerrë antikushtetutese votën e qytetarëve? Përse kërkon z.Rama të shpallë antikushtetutes zërin e qytetarëve? Përse me 14 maj z. Rama e shpalli veten fitues me 10 vota, dhe tani që zëri i 250 mijë qytetarëve të Tiranës u dëgjua, kërkon të anullojë zgjedhjet? Përgjigja është e thjeshtë. Sepse prej dy vitesh ai kërkon atë që qytetarët nuk ia japin”- përfundoi deklaratën e saj për shtyp, znj. Jorida Tabaku.
Mesila Doda: Edi Rama, i lodhshëm për qytetarët – Lulzim Basha do jetë një kryebashkiak ndryshe
Ndërsa kanë mbetur 24 orë nga verdikti final nga Kolegji Zgjedhor, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, sikurse dhe qytetarët janë në pritje të vendimit të gjykatës zgjedhore. Dita e sotme është shfrytëzuar nga të dy krahët politik edhe për akuza të ndërsjellta. Deputetja demokrate Mesila Doda edhe njëherë vë në dukje politikën e opozitës, duke cituar se kontestimet janë pa fakte dhe se, kjo kauzë është pa përmbajtje. Duke ngritur një hierarki, mbi të cilën në krye qëndron kreu i opozitës Edi Rama, deputetja nuk ka anashkaluar dhe kritikat ndaj tij, duke shtruar çështjen se kryesocialisti, duhet t’i japë fund këtij drejtimi. “Ne do të respektojmë shtetin ligjor dhe nuk do të tolerojmë të shkelen vendimet. Nga Partia Socialiste kemi parë ushtrimin e dhunës. Në këtë qasje, ajo që ka ndodhur në Kolegjin Zgjedhor, fyerjet dhe sharjet janë në sinkron me atë çfarë ka bërë Rama gjatë 4-vjeçarit, që ai ka qeverisur Partinë Socialiste”- u shpreh Doda. Duke theksuar se drejtësia për kryesocialistin, vjen sipas interesit të tij, Doda shtron një sërë arsyesh, pse kandidati Lulzim Basha, është më pranë qytetarëve.
“Shqiptarët janë të lodhur nga politika konfliktuale, por kanë dëshirë të zgjedhin njerëz që dinë të ndërtojnë dhe mënyra e të bërit politikë dhe mënyra se si duhet të ndryshohet dhe të menduarit, kjo është bërë nga zoti Basha”- tha ajo.
Duke i cilësuar deklaratat e kreut të opozitës, si një film i vjetër, Doda shtoi se kjo kauzë e sjellë nga PS-ja sjell dhe pasoja të rënda për demokracinë. Sipas saj, Partia Socialiste është konfirmuar tashmë si forcë politike antidialog dhe se politikën e saj e ushtron në rrugë.