E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet pro e kundër Shqipërisë në BE. Bildt: Vonesat janë teknike

'Aplikimi i Shqipërisë u bë në një kohë që vendet anëtare ishin të ndara në opinionet e tyre lidhur me kohën e paraqitjes së tij. Në mbështetje të aktit të Shqipërisë kanë qenë vende si Greqia, Republika Çeki dhe Italia, ndërsa më hezitues kanë qenë Gjermania, Holanda, Britania e Madhe'

Eshte ministri i Jashtem suedez, Karl Bildt, i cili jep shenja riafrimi te Unionit kundrejt Tiranes zyrtare. Ne nje prononcim botuar ne BBC, duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg, z.Bildt tha se procedurat e komplikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, kanë bërë që aplikimi i Shqipërisë të mos jetë konsideruar ende nga BE-ja.

Sipas BBC-se, presidenca suedeze e Bashkimit Evropian thotë se vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësi në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike.

"E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteteve të Traktatit të Lisbonës ne kemi procedura më të komplikuar - konsultimin e parlamentateve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje kohët e fundit," tha zoti Bildt.

"Pra, është thjesht çështje teknike dhe nuk është politike," vuri në dukje ai.


BE-ja vendosi para disa muajsh t'i ofrojë Islandës një procedurë të përshpejtuar të anëtarësimit menjëherë sapo ky vend bëri aplikimin.
Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa dite pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
U deshën dy vite qe kjo marrëveshje të ratifikohej nga të 27 Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Opozita në Shqipëri e konsideroi aplikimin e shpejtë si një veprim elektoral, sepse ai erdhi dy muaj para mbajtjes se zgjedhjeve politike.


Në rend të ditës të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në është çështja e heqjes së vizave Shengen.
Shqipëria po përpiqet që të përfitojë sa më shpejt nga ky proces në vijim të vendimit që Komisioni Evropian ka marrë tashmë për heqjen e vizave duke filluar nga fillimi i vitit 2010 për Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë - shkruan BBC



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›