Vendi i shqiponjave në Kanë
Dokumentari mbi aventurën kalorsiake të një çifti anglez u shfaq këto ditë në festivalin ndërkombëtar "MipDoc" në Francë
Atë çka tre anglezët e mëdhenj përshkruan në veprën e tyre, bashkëshortët nga Cornëelli i Anglisë, Robin dhe Luela Hanbury Tenison, shkrimtarë dhe eksploratorë dhe kineasti amerikan Mickey Grant, e vërtetuan "së gjalli" në vitet 2000. Më 1 shtator tre të huaj u nisën me kuaj nga Bjeshkët e Namuna dhe Lugina e Valbonës, nëpër rrugët e përshkuara nga poeti Lord Bajron, piktori Eduard Lear dhe Edith Durham dy shekujt e fundit, për të mbërritur pas 23 ditësh në jug të Shqipërisë. Qëllimi i çiftit anglez nuk ishte vetëm të preknin atë që ishte thënë për Shqipërinë, po edhe të realizonin një dokumentar për këtë udhëtimi të rrallë i cili u shfaq në Kanë të Francës në Festivalin e Filmit Dokumentar "Mip Doc", që u zhvillua nga data 3- 8 prill. Dokumentarin me producent dhe regjisor Mickey Grant me skenar të Jim Curtis dhe Mickey Grant e titulluan "Albania, land of eagle" ("Shqipëria, vendi i shqiponjave"- as anglezët nuk i shpëtuan dot klisheve). "Një aventurë kalorsiake befasuese përmes vendit të harruar të Evropës". Filmi i cili u shfaq në arenën e njohur të filmit dokumentar, zbulon njëherësh të fshehtat e natyrës, trashëgiminë kulturore dhe zakonore. Përgjatë udhëtimit të tyre, Robin dhe Luela Hanbury Tenison, të shoqëruar edhe nga organizatori shqiptar i kësaj ekspedite, Auron Tare, kaluan në Theth, Luginën e Valbonës, Bajram Curri, Tropojë, Kukës, Elbasan, Librazhd, Malin e Skënderbeut, Vithkuq, Voskopojë, Bredhin e Hotovës në Frashër, Këlcyrë, Tërbuqin të Labovës së Zhapës në rrethin e Gjirokastrës, Valaren, Erind, etj. Në çdo vend ku ndaluan vizituan qendra arkeologjike, kisha e manastire të periudhës Bizantine.