E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vetëm keqardhje për qëndrimin e aleatëve

 

PS, ka mbledhur në respekt të jetëve të humbur në tragjedinë e Gërdecit dje në Vorë Asamblenë

 

Në shenjë respekti për viktimat dhe sensibilizimi me banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit, Partia Socialiste ka mbledhur dje në Vorë Asamblenë e saj Kombëtare, ku dhe ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme, midis të cilave dhe krijimi i një grupi pune i cili do të merret me zbardhjen e shkaqeve që çuan në këtë ngjarje. Duke marrë fjalën në këtë mbledhje, kryetari i PS-së, Edi Rama ka theksuar fort se socialistët janë të vendosur që t'i shkojnë deri në fund zbardhjes së kësaj katastrofe jo natyrore. "Ne këtu nuk jemi rastësisht dhe as sepse nuk kishim një hapësirë tjetër, ku të bënim këtë mbledhje të Asamblesë, por për të nënvizuar publikisht me praninë tonë këtu, qoftë solidaritetin me banorët e zonës, qoftë angazhimin për t'i shkuar deri në fund zbardhjes së një ngjarjeje tragjike",- u shpreh Rama në hapje të këtij takimi. Duke u ndalur tek ecuria e "Dialogut me Shqipërinë", Rama, duke shprehur vendosmërinë për ta çuar deri në fund diskutimin e të gjitha çështjeve të përcaktuara, ka shpallur nismën e re për ta vijuar këtë tur në një fazë të dytë, për diskutimin me shqiptarët të gjetjeve dhe rezultateve konkrete të të gjithë këtyre takimeve që ka zhvilluar deri më tani. "I gjithë ky kantier do të fillojë dalëngadalë të japë rezultatet e para. Do të na japë mundësinë që duke filluar nga muaji shtator, ne të hyjmë në fazën e dytë të "Dialogut me Shqipërinë" ku do të rikthehemi tek publiku, jo më për të dëgjuar dhe mbajtur shënim, por për të hapur debatin, duke filluar të shfletojmë alternativën dhe projektin e programit tonë të ri qeverisës",- u shpreh Rama. Përveç problemeve të organizimit dhe veprimtarisë së brendshme të partisë, ai i ka kushtuar një rëndësi të veçantë dhe reformës zgjedhore, duke garantuar se PS është e vendosur që t'i japi shqiptarëve një sistem që do të bëjë të mundur garantimin e votës së lirë dhe të ndershme. "Ne kemi bërë një propozim dhe këtë propozim e kemi bërë në dritën e diellit, në bazë të Kushtetutës dhe duke mbrojtur idenë tonë, se Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem zgjedhor me zona një-emërore, në një sistem zgjedhor me zona shumemërore, në një proporcional-rajonal, ku ne mbrojmë bindjen se të gjithë do të kenë një sërë avantazhesh", theksoi kryesocialisti. Sipas Ramës ky sistem siguron një proces zgjedhor të thjeshtë, arrin të ruajë vlerat politike të çdo partie që kualifikohet si fituese, si dhe krijon mundësi që çdo zonë të përfaqësohet nga pozita dhe opozita. "Ky sistem na jep një përfaqësim më në fund të balancuar në të gjithë territorin e Shqipërisë, nga Veriu në Jug, dhe i jep fund ndarjes në blu e në të kuqe të hartës së Shqipërisë, duke e lënë për vite me radhë territore të tëra ku pjesa që është në opozitë, qoftë e njërës palë, qoftë e palës tjetër, mbetet e pa përfaqësuar. Pra, do të kemi me këtë sistem deputetë përfaqësues të shumicës dhe të pakicës",- u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama. Gjithashtu ai ka vënë theksin se ky sistem bën një peshim të forcave politike në zgjedhje dhe jo nëpërmjet marrëveshjeve paraelektorale. Duke iu referuar zërit kundër të aleatëve të vegjël, Rama ka shprehur keqardhje për këtë qëndrim, duke i garantuar njëkohësisht se PS nuk ka bërë asnjë marrëveshje të fshehtë me PD-në për reformën zgjedhore. "Më vjen keq, që këtë sjellje krejt legjitime politike të PS-së shumëkush brenda qerthullit të forcave politike e komenton si marrëveshje të fshehtë, si përpjekje për të bërë diçka të padrejtë apo si atavizëm të së shkuarës. Më vjen keq, sepse këto reagime janë shprehje e mllefit, e një mllefi të vjetër, në një politikë të vjetër, që nuk na çon asgjëkund, sepse mllefi nuk është filozofi dhe me mllef nuk ndërtohet e ardhmja. Më shumë sesa keqardhje ne nuk kemi asgjë më shumë në adresë të defraktorëve të këtij procesi, që për ne është një proces i hapur, është një proces transparent",- ka theksuar kryetari i PS-së, Edi Rama.

 

 

Vendimet e AK-së

Miratimi i vendimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor

Krijimi i koalicioneve vetëm pas zgjedhjeve

Ndermarrja e nismës ligjore për të mbijetuarit e Gërdecit

Miratimi i raportit mbi ecurinë e "Dialog me Shqipërinë"

Miratimi i raportit mbi ecurinë e zgjedhjeve në parti

PS, nisëm ligjore për trajtimin e të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit

Partia Socialiste angazhohet jo vetëm të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë të Gërdecit, por edhe të mbrojë interesat e të gjithë banorëve të prekur nga ky shpërthim. Duke mbetur tek ky argument, kryesocialisti ka bërë të ditur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se një grup deputetësh socialistë do të ndërmarrin shumë shpejt një nismë konkrete ligjore, e cila të bëjë trajtimin e veçantë për dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e të gjithë banorëve të prekur nga shpërthimi. "Kjo Asamble Kombëtare të angazhohet duke ngarkuar një grup deputetësh për të përgatitur një nisëm ligjore, pasi e gjithë periudha pas tragjedisë dhe administrimi nga ana e qeverisë i këtij procesi na lë të kuptojmë fare qartë, se qeveria dhe Kryeministri nuk kanë asnjë plan, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kanë asnjë gjasë që të plotësojnë detyrimet e tyre karshi këtyre njerëzve",- u shpreh Rama. Duke akuzuar qeverinë për paaftësi në menaxhimin e kësaj situate, kryesocialisti është shprehur se ndërmarrja e kësaj nisme ligjore është e vetmja mënyrë për t'i ardhur në ndihmë të mbijetuarve të kësaj katastrofe. "Nisma ligjore është e vetmja përgjigje që mund t'i jepet kësaj pikëpyetje, që është duke u rritur mbi kokat e gjithë atyre njerëzve që sot janë pa shtëpi, që sot janë të strehuar në godina të vëna në dispozicion të tyre, apo tek të afërm dhe miq dhe që sot, ashtu sikundër e theksoi dje edhe Ambasadori i SHBA-së, nuk mund të kthehen në këtë zonë që vazhdon të paraqesë rrezikshmëri të lartë, për një sërë arsyesh. Kuvendi i Shqipërisë do duhet të marrë përgjegjësinë të miratojë nismën dhe të angazhojë ligjërisht Qeverinë për t'iu përgjigjur deri në një, të gjitha nevojave financiare dhe materiale që kanë ata që u bombarduan nga qeveria",- tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›