E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi ku qëndroj

Mbi ekspozitën e artistëve Nir Alon dhe Gazmend Ejupi, e hapur në Chelouche Gallery for Contemporary Art, në Tel Aviv të Izraelit. Nga Michele Robecchi më 05 prill 2011 në ora 13:55

“Është shumë vështirë të ndaj një pjesë të jetës sime nga tjetra. Jam munduar t’i jetoj ashtu të bashkuara... artin dhe jetën së bashku, të pandara dhe të padalluara. Idetë të cilat i kam zbuluar dhe përqafuar në rininë time, kur idealizmi im ishte në kulm të lulëzimit, nuk i kam shpërfillur as në moshën time mesatare, atëherë kur idealizmi është pak më i zbehtë dhe kur maturia fillon të lind. Idetë e vetë-vendosjes, respektit dhe mbrojtjes se vetes sime që më kanë udhëhequr gjatë viteve të 60-ta, për mua vlejnë dhe janë po aq stimuluese edhe tani”.
Augustine Wilson, Vendi ku qëndroj, 1996

“Vendi ku qëndroj” është një ekspozitë që e hulumton pamundësinë e ndarjes së artit nga jeta dhe se si marrëdhënia mes tyre është diçka fundamentale në formësimin e vizionit që kemi për shoqërinë. Titulli është bazuar në një fjalim të dhënë nga skenaristi i madh amerikan August Wilson (1945-2005), me rastin e Konferencës Nacionale të Komunikimit dhe Teatrit në NewYork, më 1996. Pjesa kryesore e fjalimit të Wilsonit kishte të bëjë me vështirësitë që i kishte hasur për të ndarë problemet e tij lidhje me teatrin, prej problemeve të jetës personale si një afrikan-amerikan.

Dy artistët që po ekspozojnë në “Vendin ku qëndroj”, Nir Alon dhe Gazmend Ejupi, e ndajnë me Wilsonin interesimin në format teatrore të reprezentimit, si dhe në hulumtimin konstant të identitetit. Për të dy artistët është e vështirë të definojnë konceptin e atdheut (Alon është i lindur në Izrael nga nëna kosovare dhe jeton në Gjermani, kurse Ejupi është i lindur në Kosovë dhe tani jeton në Londër) dhe jetojnë në një dualitet kulturor dhe gjeografik , që në njërën anë e ka pasuruar jetën e tyre, e në anën tjetër jeta e tyre private ka rënë në vendin e dytë. Kjo çështje nuk është e kufizuar vetëm tek karriera e tyre, por është zgjeruar edhe në jetën e tyre, me aspektet shumëfytyrëshe të prejardhjes së tyre, duke i futur ata në një grup të caktuar ku pikëpamjet personale janë shumë shpesh të injoruara në favor të pikëpamjeve të tyre politike.

Ky identitet hibrid ka krijuar një ndjenjë të përhershme të pavendosshmërisë, që reflektohet në praktikën e tyre. Skulpturat e Alonit janë rezultat i dialogut në mes të artistit dhe vendit, në të cilat ai ftohet të shfaq. Të punuara nga materialet e mbledhura po aty, në atë vend, si psh. libra dhe mobile të ndryshme, ato e sfidojnë nocionin e hulumtimit të artistit, si një pjesë e ndarë nga spektatori , duke e ftuar atë në të njëjtën kohë të bashkëpunojë dhe të ndajë, duke i treguar aspekte të kulturës në të cilën puna është shfaqur si dhe marrëdhëniet e tyre me artistin.

Në videoinstalimet e Gazmend Ejupit vërehet mungesa e objektit dhe disi kjo krijon lidhjen me punët e Alonit. Ato janë momente në kohë dhe hapësirë, fotografi të memories së artistit , që zakonisht fokusohet në episode të jetës së përditshme siç është ndërprerja e rrymës elektrike në banesë të prindërve të vet, ose ritualet e ndërlikuara që mbahen para ceremonisë së dasmës.

Duke u munduar të kap disponimin e qytetit ku ka lindur dhe qytetit ku jeton , Ejupi në mënyrë indirekte e ekzaminon rrethin dhe ndryshimin e stilit të jetës, gjë që është diçka shumë natyrale në këtë periudhë të tranzicionit. Duke kapur pa dëshirë, dobësinë dhe fortësinë e njerëzve si individualë dhe si një shoqëri të tërë, videot e Ejupit merren kryesisht me tregimin e tij personal. Të xhiruara në një kornizë të vetme, ato janë si piktura lëvizëse, duke shpaluar kështu animin e tij ndaj formës më të vjetër të artit, e në të njëjtën kohë duke shkëputur veten nga tradita e gatshme që si duket i takojnë.

Në punët e Alonit dhe Ejupit nuk ka shenjtërim të të zakonshmes, e as ndonjë formë të naratives. Të bashkuar nga zgjidhja e tyre e hulumtimit të indentitetit dhe nga dëshira ta bëjnë atë, duke u marrë me objekte dhe situata të përditshme, dy stilet e ndryshme reprezentuese të këtyre dy artistëve, që kalon nga një hapësirë e hapur në klaustrofobi. Prezenca humane dhe përkatësia gjeografike, dy tema të rëndësishme në praktikat e dy artistëve, janë më së shumti të dalluara për prezencën e tyre të pakapshme.

Çështjet, siç janë diversiteti, nostalgjia dhe mungesa janë të adresuara në atë mënyrë që me qëllim e nënçmojnë përkatësinë kulturore dhe gjeografike. Linjat e holla ndarëse mes krenarisë dhe dashurisë, personales dhe kolektives, territoriales dhe nacionales, janë tërësisht të eksploruara, duke ftuar audiencën të marrë edhe një hap drejt perceptimit të tyre ndaj këtyre nocioneve të imponuara dhe të vendosin në mënyrë më personale për vendin se ku qëndrojnë.

(Përktheu: Afërdita Statovci)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›