Shqipëria ‘gjurmon’ Superligën

Tash e disa vite, Kombëtarja shqiptare në radhët e veta ka rekrutuar futbollistë me prejardhje nga Kosova, e që aktivizohen me ekipe të ndryshme nëpër ligat evropiane.
Por, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) tani i kanë hedhur sytë edhe nga Superliga e Kosovës, ku po shikojnë të gjejnë ndonjë element për ekipet kombëtare.
Këtë e vërteton edhe fakti se të dielën në Kosovë kanë qëndruar ndihmëstrajneri i Shqipërisë, Dzemal Mustedanagic dhe shefi i sektorit teknik në FSHF, Astrit Maçi. Këta dy kanë qenë mysafirë të presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupit, derisa nga afër kanë përcjellë ndeshjen derbi të xhiros së 22’të ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës, 1:1.
Ndihmësi i Josip Kuzes, boshnjaku Mustedanagic ka pranuar se Kombëtarja shqiptare është e interesuar për futbollistë të Superligës dhe për këtë ka ardhur edhe personalisht në Kosovë, në rolin e skautit.
“Jemi këtu për të përcjellë disa lojtarë, të cilët në të ardhmen mund të jenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Për momentin nuk mund të them asgjë më shumë, pasi që është ndeshja e parë dhe përshtypje e hershme. Do të vazhdojmë t’i përcjellim edhe në të ardhmen”, tha Mustedanagic.
Trajneri boshnjak nuk deshi t’i bëjë të ditur emrat e futbollistëve të cilët i vëzhgoi, por Gazeta Express mëson se në shënjestër ishin dy futbollistët e rinj të Prishtinës, Argjend Mustafa e Ilir Berisha dhe futbollisti i ri i Trepçës, Leart Emini, të cilët ishin pjesë e grumbullimit të fundit të përfaqësueses së Kosovës.
Edhe nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi, ka konfirmuar se në të ardhmen e afërt pritet të arrijnë sërish delegacione nga Shqipëria për t’i vëzhguar lojtarët e Superligës.
“Bashkëpunimi do të vazhdojë. Në një të ardhme të afërt presim të na vizitojë një delegacion tjetër nga Shqipëria, për t’i vëzhguar futbollistët, jo vetëm të Prishtinës, pasi që edhe klubet tjera kanë lojtarë kualitativë. E gjithë kjo falë bashkëpunimit të presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), Armando Duka”, tha Muçiqi.
Në fund të vitit të kaluar, FSHF në Zvicër pat organizuar një kamp me talente kryesisht kosovarë që luajnë në shtete të ndryshme. Nga rreth 50 talente, FSHF ka zgjedhur disa futbollistë që mund të kontribuojnë në shpresat kuqezi.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria U21 në radhët e veta ftoi 8 lojtarë kosovarë të zgjedhur nga kampi i lartpërmendur për një turne, i cili është mbajtur në Slloveni. Ngjyrat e Kombëtares shqiptare në këtë eveniment i kanë mbrojtur: Ervin Gashi (Thun), Liridon Krasniqi (Mlada Boleslav), Atdhe Kadriaj (FC Entfelden), Shkodran Nuredini (FC Dubndrof), Agonit Sallaj (Neuchatel Xamax), Mërgim Brahimi (Grasshoper), Leutrim Osaj (Maribor) dhe Artan Shillova, Astrit Bunjaku (Basel).
Aktualisht në Kombëtaren A luajnë: Arian Beqaj, Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi. Kurse në të kaluarën fanellën kuqezi e kanë bartur edhe: Besart Berisha, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati, Blerim Rrustemi dhe Besnik Hasi.