Vendi në emergjencë, Berisha mbledh komitetin për festime
Edhe pse vendi është në një situatë dramatike për shkak të situatës së krijuar nga bora, kryeministri Berisha nuk ka nguruar që të mbledhë komitetin ndërministror për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se duhet të ketë një plan të qartë për festimet. Ai ka thënë se duhet që pavarësia të festohet çdo ditë të vitit.
Ashtu si dhe në mbledhje e tjera të këtij viti, Berisha është shprehur se ky do të jetë viti i të vërtetave historike, duke thënë se studiuesit duhet që të bëjnë rregullimet dhe korrigjimet e duhura.
Duke u ndalur veçanërisht tek figura e Mbretit Zog, Berisha është shprehur se Zogu u largua nga Shqipëria për të vazhduar rezistencën e tij.
Kryeministri Berisha foli për programin e ceremonive festive, të cilat siç tha ai, do të shtrihen gjatë gjithë vitit, pasi ky është një vit jubilar për shqiptarët. Zoti Berisha tha se në këtë përvjetor, shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë të mësojnë të vërtetat e tyre historike, larg manipulimeve politike. Ai foli për një rishikim të historisë, gjë që sipas tij, duhet ta bëjnë historianët dhe studiuesit me objektivitet dhe pjesë e rishikimit të bëhen edhe figurat që bashkëpunuan me pushtuesit, për ti përçuar siç tha ai, përpara shqiptarëve ashtu siç janë e jo sipas vlerësimit bardh e zi të bërë deri më sot.
Veprimtaritë për 100-vjetorin do shtrihen në të gjithë vitin, pasi ky është një vit jubilar. Do shënohen ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, deri më 17 shkurt 2008. Po punohet për ta shndërruar këtë vit në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare pasi shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për të vërtetat, larg manipulimit të historisë. Kombi ka më shumë nevojë për të vërtetat e pamanipuluara. Por këto nuk janë çështje të politikës, janë çështje të historianëve dhe historianët dhe studiuesit duhet ti trajtojnë ato me objektivitet, të mos i shohin bardh e zi, deklaroi Berisha.
E ndërsa Berisha flet për festime, më shumë se gjysma e Shqipërisë është e izoluar nga bora dhe nuk ka asnjë plan konkret për ndihmën e tyre, ndërkohë që qeveria përgatit plane për festime.
