E Martë, 3 Nëntor 2026

Vendi përfshihet nga reshjet e borës dhe shiut, akset rrugore në vështirësi. Ndërpritet energjia në zonat rurale

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur situatën e reshjeve të shirave, borës dhe akseve rrugore në vend.

Sipas ARRSH, qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset kombëtare por iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje dëbore në akset Bilisht-Kapshticë, Qafë Qarri-Ersekë, në Dardhë, në Voskopojë, Zëmblak-Dogana Goricë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës dhe në Valbonë. Temperaturat kanë qenë në vlera negative deri në -3 °C.

Mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës pa ndërprerje

Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale

Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në territorin e Qarkut Korçë kanë vazhduar reshjet e shiut gjatë gjithë natës dhe vijojnë aktualisht.

Në lartësitë mbi 900 m ato kanë qenë në formën e dëborës, trashësia ka shkuar nga 10-35 cm, kryesisht në Dardhe dhe Voskopojë.

Subjektet kontraktore kanë vazhduar punën për kriposjen dhe mirëmbajtjen e segmenteve kryesore nacionale dhe ato turistike.

Akset Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Ersekë janë të kalueshme por, rekomandohet qarkullimi i mjeteve me pajisje dimërore. Aksi Ersekë-Leskovik po ashtu.

Rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki nuk kanë probleme. Është duke u punuar për aksin Voskopojë-Lekas dhe Vithkuq-Shtyllë-Panarit.

Gjithashtu bëhet e ditur se ka ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në disa zona rurale por grupet e punës të Agjencisë Elektrike po punojnë për rikthimin e energjisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›