E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimet e Qeverisë në emërime dhe shkarkime, pa bazë ligjore

Kryesia e AAK-së konsideron se shkarkimet arbitrare të shërbyesve civilë, në javët e fundit, në Qeverinë e Kosovës, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet universale të vetë ekzistimit të Shërbimit Civil, por, mbi të gjitha, janë në kundërshtim me kriteret kryesore për integrim në BE.

“Në vendet demokratike, Shërbimi Civil ndërtohet me dekada si shërbim i paanshëm politikisht, profesional dhe objektiv, kurse Qeveria Thaçi, që nga ardhja në pushtet, me suprimimin e organit vlerësues të shërbyesve civilë Këshilli për Emërime të Larta Publike, moszëvendësimin e qëllimshëm të këtij mekanizmi, e ka përdorur për spastrim të të gjithë zyrtarëve që kanë mbajtur poste udhëheqëse në Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar për media, pas mbledhjes së enjtes të Kryesisë së AAK-së në të cilën u debatua për çështjen e funksionimit të Shërbimit Civil të Kosovës.

AAK vlerëson se pa asnjë evaluim formal të performancës janë larguar 13 nga 16 sekretarët permanentë të ministrive, drejtorë të agjencioneve qeveritare, të emëruar nga KELP dhe shumë zyrtarë e drejtues të tjerë të lartë të shërbimit civil.

Të gjithë të larguarit, sipas AAK-së, janë zëvendësuar me anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së dhe të LDK-së, e jo në bazë të meritave dhe profesionalizmit, duke krijuar shërbim civil me ngjyrim të fuqishëm partiak.

AAK vlerëson se vendimet e deritanishme të Qeverisë në emërime dhe shkarkime janë të paqëndrueshme dhe pa bazë ligjore, ndërsa vlerëson që kjo praktikë e partive në pushtet është e dëmshme dhe me pasoja afatgjate për qeverisjen në Kosovë dhe kërkon që Ligji për Shërbyesit Civilë të jetë i hartuar konform praktikave më të mira ndërkombëtare, njofton Zyra për informim e AAK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›