E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; Gjykatë, mjekët kundërshtojnë akuzën e korrupsionit



Mjekët kundërshtojnë hapur akuzat dhe provat e paraqitura nga prokurori gjatë seancës së vleftësimit të masës së arrestit, duke mohuar që të kenë marrë lekë për lindje apo pas operacioneve të lindjeve të grave. Më tepër, gjatë seancës së masës, sipas burimeve nga gjykata, ka folur mjeku i vjetër, Petrit Rexhepi, i cili jo vetëm ka mohuar faktin që ka marrë lekë për lindjet e fëmijëve, por ka deklaruar se është një mjek karriere dhe nuk do ia lejonte vetes një gjë të tillë. Pasi ka marrë gjeneralitetet dhe ka dëgjuar pretendimet e prokurorit dhe ato të të akuzuarve, gjykata ka lënë në fuqi masat e marra në mungesë “arrest shtëpie”, duke deklaruar se nuk kanë ndryshuar aspak kushtet për ndryshimin e saj. Mjekët dhe dy infermieret e maternitetit “Koço Gliozheni” janë ndaluar dhe u është komunikuar masa e arrestit pak ditë më parë, në kuadër të operacionit “Trashëgimtari”. Sipas akuzës, mjekët u kërkonin para familjarëve të pacientëve për lindjet normale dhe ato me operacion. Është i njëjti gjyqtar që në shkurt të këtij viti ka dhënë vendimin për vënien në përgjim të pesë të akuzuarve që ka vleftësuar si të ligjshme masat e marra po prej tij në mungesë për ta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›