E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi për Demokraci dhe Etikë dhe ndryshimi i politikës

Në një suplement të gazetës “standard”, Forumi për Demokraci dhe Etikë nëpërmjet z. Arian Galdini, drejtor ekzekutiv i këtij organizmi politik të veçantë, i referohej një filozofie, e cila i ndante politikanët në ata që jetojnë për politikën dhe ata që jetojnë prej politikës.

Për të qenë të sinqertë, ky konceptim është disi larg realitetit shqiptar, sepse të gjithë e dimë tashmë se përsosmëria nuk gjendet midis nesh dhe as në politikë. Duhet pranuar se të dy këto steriotipe politikanësh gjenden tek gjithsecili, por ajo që i bën të shquhen këta të fundit nga njëri-tjetri është se nga cila anë rëndojnë më shumë!

Në fakt këtë gjë e pranon edhe vetë z. Galdini, kur thotë se realiteti është i vështirë, por duke theksuar se nuk duhej tërhequr nga idealet dhe idealizmi në politikë! Z. Galdini, ashtu si edhe FDE, pikërisht sepse nuk kanë humbur shpresat, vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të hedhin ide, debate, strategji zhvillimi për Shqipërinë, por padyshim që kjo nuk mjafton! Duhet gjetur mënyra e duhur për t’iu kundërvënë këtij realiteti të vështirë dhe kompleks.

Përgjegjësia e të qenurit politikan

Siç edhe e thotë qartë perceptimi i z. Arian Galdini në publik, të qenurit politikan përkufizohet përgjithësisht si mundësi privilegji, pushteti, përfitimi, mundësi të ndihmosh të tjerët dhe duhet thënë se, për fat të keq, jo pak prej politikanëve tanë, të cilët në publik nuk bëjnë aq sa duhet, janë në një nivel të tillë të ngjashëm!

Personalisht më ka intriguar gjithnjë ky perceptim dhe realiteti kompleks i rastit shqiptar në këtë fushë! Ndryshe nga të tjerët, unë jam munduar ta shoh këtë realitet ashtu siç është me të mirat dhe të këqijat e tij.

Në fakt, kur kam parë shumë politikanë të hynë dhe të dalin pa dhënë asnjë kontribut domethënës në jetën politiko-publike të vendit, edhe unë jam bërë pesimist dhe ndoshta kam menduar edhe unë si shumica në logjikën “bardhë e zi”!

Në raste të tjera kur kam parë politikanë të hynë në jetën politiko-publike, të rinj dhe flokëzinj, dhe sot i shoh të thinjur para kohe, padyshim që arrij të shikoj përtej privilegjeve, përfitimeve në të ushtruarit e këtij profesioni shumë impenjativ!

Sipas mendimit tim modest, të marrurit me politikë, përveç këtyre privilegjeve të padiskutueshme që përfaqësojnë vetëm anën e dukshme të kësaj medaljeje, është gjithashtu një profesion i mbushur me stres dhe vështirësi, mungesë të jetës private, ballafaqim me publikun kur ke dëshirë të rrish vetëm me veten, zgjedhje për gjëra, të cilat kanë të bëjnë me të gjithë, por që dhe mund të penalizojnë një pakicë të caktuar, gjë që padyshim përcjell dramë...

Situata politike sot dhe ç’mund të bëj FDE

Personalisht dua të kujtoj se konsensusi midis shumicës qeverisëse dhe pakicës opozitare padyshim që ka ndihmuar në përparimin e vendit dhe veçanërisht në integrimin e tij në organizimet euro-atlantike.

Kjo tezë padyshim u konfirmua edhe me ftesën që mori Shqipëria për t’u bërë anëtare me të drejta dhe detyrime të plota në NATO. Kjo është katërcipërisht e vërtetë dhe këtë e dinë të dyja palët përtej retorikave dhe debateve politike. FDE-ja nuk është organizim socio-politik që mund të rreshtohet me njërin, apo tjetrin krah të politikës, siç në fakt në mënyrë të tërthortë po e bën si “motra” e saj “G99”. Në fakt, kjo është e pamundur për një organizim si FDE-ja, në të cilën bëjnë pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike.

Ajo që mund të bënte FDE-ja, edhe për shkak të filozofisë së saj të veçantë dhe simpatike, por edhe të nevojës aktuale të politikës shqiptare të vitit do të ishte nevoja, për të kthyer dialogun politik dhe të moderuar midis palëve!

Një mundësi e tillë është padyshim sfidë e vështirë për gjithsecilin që e mendon, por me aq shumë miq të huaj sa reklamon vetë ky organizëm dhe për pushtetin që kanë ata në politikën e ditës në Shqipëri, kjo rezulton e mundshme.

Një takim publik midis z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama me temë “dialogu politik shqiptar dhe e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë” nën organizimin e FDE-së, padyshim që do të ishte lëvizje e duhur, për të bërë historinë e vet të këtij organizmi politik dhe influencuar në atë të Shqipërisë.

Ky takim në të cilin akuzat e ndërsjella që presupozojnë penalitete nuk duhet të lejohen përderisa janë tagër i institucioneve të pavarura të shtetit. Kjo do të ishte shumë më shumë se “politikat e reja” për të dalë përtej së Majtës dhe të Djathtës.

Sfidë padyshim e vështirë, por jo e pamundur. DFE me miqtë e shumtë të huaj dhe të rëndësishëm, me mbështetësit e saj politikë në Ballkan mund ta marrë përsipër këtë dhe të provoi veten.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›