“Pavarësisht bojkotit, Parlamenti ruajti Funksionalitetin”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Washington mes personaliteteve nga e gjithë bota në Forumin Parlamentar për Demokraci
Parlamentarë nga lindja e perëndimi u mblodhën ne Capitol Hill, në Washington, në takimin e Forumit Parlamentar për Demokraci. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte e ftuar në këtë Forum, mes një numri të madh personalitetesh nga e gjithë bota, dhe rreth 100 krerë dhe përfaqësues parlamentesh nga SHBA, Parlamentit Evropian, Kanadaja, Republika Çeke, Gjeorgja, Meksika, Gjermania, Islanda, Italia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Suedia, Turqia, Ukraina dhe vende të tjera.
Forumi u përshëndet nga Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të SHBA John Boehner, i cili shkëmbeu një bisedë të shkurtër edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë në fjalën e saj vlerësoi peshën që merr ky forum, në një kohe kur vazhdon të rritet numri i atyre vendeve të cilat kërkojnë të kalojnë nga regjime autokratike në demokraci.
Duke marrë si shembull rrugëtimin e gjatë dhe të dhimbshëm të Shqipërisë, nga diktatura komuniste në demokraci, kryeparlamentarja Jozefina Topalli foli për vuajtjet dhe pengesat e shumta që shoqëruan këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë, për të mbërritur deri në fillim vitet 90’.
“20-vite më parë, tha Kryetarja e Kuvendit, shqiptarët më në fund fituan lirinë, dhe këtu fillon magjinë e vetë e munguara jonë e madhe. Këtu fillon dhe mrekullia e lirisë! Këto 20-vite kanë qenë vite të reformave e transformimeve të guximshme. Në këto pak vite, Shqiptarët kanë rikuperuar shekuj të gjatë. Liria funksionon. 20 vite më parë ne ishim vendi më i varfër në botë. Sot, Shqipëria, vlerësohet ndër ekonomitë e vogla më të stabilizuarat. Sot, Shqipëria nuk është në recension. Ndërsa para dy dekadash, ne ishim totalisht të izoluar, sot lëvizim në Evropë pa viza. lëvizja e lirë është një tjetër dimension i fuqishëm i lirisë”, tha kryetarja e Kuvendit.
Duke folur për parlamentarizmin në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, tha se lajtmotivi i axhendës së parlamentit shqiptar në vitet e fundit kanë qenë reformat. “Parlamenti është institucioni kyç në demokraci. aty konfrontohen momentet kyçe të vendimeve kombëtare. Në vendin tim, lajtmotivi i axhendës së parlamentit janë reforma. Ka pasur periudha kur opozita nuk ka votuar reforma që kërkojnë 3/5 e votave. Kjo ka qenë e dhimbshme për mua. Pavarësisht kësaj parlamenti i ka qëndruar fort misionit te tij”, theksoi Topalli.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, shtoi se 20 vitet e fundit, kanë qenë vite të reformave dhe transformimeve të vazhdueshme.
“Sot Shqipëria ka ndryshuar ne mënyrë dramatike. Më lejoni të përsëris se gjatë rrugëtimit tonë mbështetja e vendeve te lira si SHBA dhe EU ka qene e domosdoshme. Ne u jemi mirënjohës! Dhe kjo asamble globale sot është një forum që ka mundësi e detyrë të mbështesë ato vende, qe po përpiqen te kalojnë nga regjimet autokratike ne demokraci”, deklaroi më tej kryeparlamentarja shqiptare.
Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të SHBA John Boehner, gjatë fjalës së tij vlerësoi rolin që ka luajtur Forumi Parlamentar për Demokraci në fuqizimin e demokracisë
Ai theksoi se Kongresi i SHBA, do vazhdojë të jetë partner i të gjithëve ju.
“Me progresin që ka nisur këta 20 vitet e fundit, edhe 20 vitet që do të vijnë, atëherë do të ketë më shumë demokraci, kudo në botë”, tha kongresmeni John Boehner.