Arian Çani: të rejat jam unë
Zonë e lirë është në vitin e nëntë të jetës. Sivjet ka lëvizur nga Vizion Plus për te Tv Klan dhe ky ndërrim vendesh është bërë pjesë e një gossipi që zakonisht i rezervohet merkatos së verës së yjeve të futbollit. Megjithëse lëvizja u bë deri diku e pritshme, pas incidentit dhe shpërthimit të Arian Çanit në studion e emisionit Shqip. Tani që është te Klani, një siglë dhe botë e njohur për të, po të kesh parasysh bashkëpunimet e mëparshme, duket sikur Zonë e Lirë është bërë edhe më e lirë. E reja e këtij sezoni është se …nuk ka reja. Arian Çani, njeriu pas emisionit Zonë e lirë, thotë se show i tij do të jetë ai i përhershmi: ndryshimi do të qëndrojë te thyerja e tabuve dhe, si rregull, thyerja e tabuve nuk është diçka që planifikohet dhe as parashikohet.
Arian Çani e ka zhvendosur ‘ofiçinën’ e tij televizive te Klani: grafikisht do të jetë ajo studioja në formën e patkoit të kalit që, në varësi të etapave të emisionit, i ngjan herë një cirku e herë një amfiteatri. Poshtë në skenë janë gladiatorët dhe lart gazetari që me gjestin perandorak të gishtit kryesor shenjon ‘jetën’ ose vdekjen’ virtuale të të ftuarit. Ata që i mirëpresin intervistat e shkrifëta politike të orëve të vona, do t’i kenë edhe në këtë sezon të nëntë. Ata që priren nga vaniteti i ‘yllkave’ të showbiz-it imagjinar, në banak të Çanit do t’i kenë. Të gjithë do të jenë aty, të ndrojturit, megalomanët, të rëndësishmit, të rastësishmit, të përhershmit e të përjetshmit, letrarët e gjysmanalfabetët. Sepse Zonë e Lirë është kokteji i veprave të mira e të kota, huqeve e virtyteve; një tren i larmë me të gjithë vagonët e shoqërisë shqiptare. Me shpresë do të jenë edhe spektatorët e pabindur, të cilëve moderatori i emisionit u çirret e i kërcënon. Dyshime ka nëse turma zhurmëmadhe e gjenuine e Don Boskos do ta ndjekë deri në Kinostudio, por nuk i dihet.
Emisioni do të jetë si përherë në orën 21.00 të mbrëmjeve të premte.
Kur një emision është i mirë, bëhet ekran më vete
Çani, një kthim demonstrativ pas një ikjeje demonstrative. A mos stili i emisionit, demonstrativ dhe, për të kujtuar një reklamë të kopjuar birre vendase “një e kuqe që s’ka turp”, po u bëhet stil jete: maska po bëhet fytyra?
Hahahaha... Perlë... A thua të jetë kaq e thellë???
A është edhe një lëvizje politike kjo lëvizje nga Vizion Plus te Klani? Të paktën duket e tillë po të kujtojmë episodin në studion e Shqip të Rudina Xhungës: kërcënimi me bombë, deklaratat tuaja kundër Veliajt, Ramës, PS-së…
Jo, aspak. Unë nuk kam ndryshuar kamp. Mbetem përgjithësisht me tendencë majtas. Por i zhgënjyer thellë nga lidershipi që vazhdon të mbajë peng të majtën duke e lënë dëshpërimisht larg pushtetit... Po, meqë ra fjala, Zoti Lela... Si është Luli??? A po bën gjë me hipotekat, apo…???
Më thoni ju: e keni patur z. Basha në një emision special për të dhe Ushtrinë e të Pahipotekuarve pak para ditës së votimeve. Kur do të kemi një emision follow-up?
Shumë shpejt. Lul Basha duhet të japë llogari para qytetit që i dha votën. Unë kam besim-nëse nuk ‘e minojnë’ nga qeveria-që ai do ta bëjë këtë reformë, ndonëse shumëkush është skeptik. Nga ana tjetër Ushtria e të Pahipotekuarve po bëhet çdo ditë e më e madhe…
A është kjo një sfidë e juaja: emisioni Zonë e Lirë është një ‘spektakël shëtitës’ që shkon qytet më qytet (Tv më Tv) dhe mbetet i suksesshëm. A mund të jeni aq arrogant sa të deklaroni se ju i bëni televizionet dhe jo ato ju?
Hahahaha... E bukur dhe kjo... Në fakt unë them se çdo emision kur është i punuar mirë, mund të jetë një ekran më vete...
A do të shohim të njëjtën studio, të njëjtin stil komunikimi, apo diçka do të ketë ndryshe këtë sezon? (Ju lutem mos më thoni se ‘ky emision do të jetë ‘ndryshe’’!)
Hahahaha ... Bravo... Më duheshin këto pyetje një ditë para rifillimit... Ky emision është po ai... Nuk ka asnjë ndryshim... Përveçse bëhet pak më i madh, pasi hyn në vitin e tij të nëntë...
Një shprehje juaja e preferuar gjatë emisionit ka qenë “është vend i rrezikshëm Shqipëria…” A druheni se edhe emisioni juaj është i tillë: ai është shumëfishim i rrezikshmërisë që shohim jashtë, përsëritje e saj? (E kam fjalën për atë debatin moralist ku gjërat ndahen në modele të mira e negative.)
Jo ... Nuk më duket... Te Zonë e Lirë thyhen shpesh tabu dhe "norma" është më së shumti përjashtim... Ndaj, nëse pyetjen tuaj nuk e kam keqkuptuar, nuk mund të jetë një përsëritje e asaj që ju shihni jashtë... Unë do thosha se Zonë e Lirë është shpesh një mohim i këtij realiteti... Apo mos kam gabim...?