E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha e Meta guxojnë të mohojnë sy për sy korrupsionin”



Eljona Ballhysa
Fill pas akuzave të bëra nga kryeministri Berisha në drejtim të opozitës për lidhjen e saj me videon e regjistruar, ka reaguar dje kryetari i PS-së, Edi Rama. Ai distancoi partinë e tij nga regjistrimi i kësaj videoje, ndërsa akuzoi Berishën e Metën si dy persona që po mohojnë sy për sy korrupsionin e parë dhe të dëgjuar nga të gjithë shqiptarët vetëm tri ditë më parë. Sipas Ramës, dyshja Berisha-Meta “duan jo vetëm të plaçkitin gjithçka, por edhe të tallen pafundësisht me popullin dhe të baltosin e asgjësojnë çdo burim opozitarizmi në mes të Europës përmes pushtetit të parasë dhe parasë së pushtetit”.
Reagimi
Sipas kryetarit të PS-së, reagimet e djeshme të Berishës dhe Metës ishin një provokim që iu bë qytetarëve shqiptarë. “Sot shqiptarët panë dhe dëgjuan se si kusari i zgjedhjeve dhe matrapazi i votave të opozitës provokuan të madh dhe të vogël. Saliu dhe Meta sot jo thjesht e mohuan njëzëri shfaqjen e ndyrë që i nxori ashtu siç janë, të zhytur bashkërisht në llumin e hajdutërisë me zë dhe me figurë. Ata shkuan më tej duke e përpjekur ta budallallepsin një popull të tërë me broçkulla montazhesh dhe trukimesh që paska bërë opozita”, - është shprehur Rama. Sipas liderit të opozitës, “shoqëria shqiptare është sot shumë e kërcënuar nga ky çift shoqërisht i rrezikshëm”. Sipas Ramës, “ky bashkim në llum, që ka lindur për të vjedhur Shqipërinë pas vjedhjes së zgjedhjeve, vazhdon të mendojë edhe pas asaj shfaqjeje të neveritshme se ky popull nuk meriton asgjë më shumë sesa kusarë e matrapazë në pushtet dhe gënjeshtra, shpifje, mashtrime e baltë mbi opozitën në foltoret e qeverisë”. Kryetari i PS-së tha gjithashtu se Berisha e Meta janë të zhytur në batakun e korrupsionit, aq sa nuk mund të ndahen dot nga njëri-tjetri. “Aq të zhytur janë në batakun e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin e votave të vjedhura, saqë Saliu nuk ndahet dot nga Meta dhe të dy bashkë kanë marrë përsipër ta gënjejnë këtë herë popullin fare sy më sy”, - është shprehur Rama. Sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në një vend ku vidhe votat dhe “ku ata që sundojnë me vota të vjedhura nuk duan t’ia dinë për popullin që s’e ka më votën në dorë sepse ia kanë marrë peng forcërisht”. Më tej Rama i bëri thirrje popullit që të ngrihet për t’i dhënë fund kësaj qeverie. “Që kjo gjendje e rëndë sociale, këto shfaqje të neveritshme korrupsioni, kjo tallje e ky cinizëm qeveritar që s’paska cak e as fund, të marrë në fakt fund, populli ngrihet dhe rimerr në dorë lirinë e të drejtën e votës. Saliu dhe Meta duhet të largohen një orë e më parë”, - është shprehur Rama.

Videoja, thanë:

Edi Rama
“Saliu dhe Meta sot jo thjesht e mohuan njëzëri shfaqjen e ndyrë që i nxori ashtu siç janë, të zhytur bashkërisht në llumin e hajdutërisë, me zë dhe me figurë, por u përpoqën të budallallepsin një popull të tërë me broçkulla montazhesh dhe trukimesh”.

“Që kjo gjendje e rëndë sociale të marrë fund, populli të ngrihet dhe të rimarrë në dorë lirinë e të drejtën e votës. Saliu dhe Meta duhet të largohen një orë e më parë”.

Bamir Topi
“Pra, inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje që kanë një sensibilitet të lartë publik”.

“Kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t’i bëj, u takojnë të tjerëve”.

Inkurajimi
Topi: “Prokuroria është organi që duhet të bëjë transparencën e ngjarjes”

Presidenti Bamir Topi ka inkurajuar dje Prokurorinë për të bërë transparencën e videos së regjistruar Prifti-Meta. Kreu i shtetit, gjatë një vizite që zhvilloi dje në qytetin e Pogradecit, deklaroi se videoja duhet të hetohet nga Prokuroria, ndërsa inkurajoi Prokurorinë për transparencë. “Tashmë kjo është një çështje e institucionit të Prokurorisë dhe, patjetër, inkurajoj Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj, sepse ndonjëherë është e panevojshme të thuhet që inkurajoj Prokurorinë, duke qenë se Prokuroria është një institucion që ka një ligj. Por, e them këtë për të bërë transparencë. Pra, inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë, dhe këto ngjarje duhet patjetër të certifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave. Pra, kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t’i bëj, u takojnë të tjerëve”, - është shprehur presidenti Topi. I pyetur lidhur me faktin se zoti Meta është i mbrojtur nga imuniteti, kryetari i Shtetit u përgjigj se kjo bën pjesë te vlerësimet politike. “Edhe një herë, edhe kjo bën pjesë në vlerësimet politike. Unë jam President i Republikës dhe i trajtoj çështjet me shumë rigorozitet në sensin ligjor dhe institucional. Fakti që kjo çështje është në dorë të Prokurorisë, pra le ta lëmë Prokurorinë të punojë, por edhe të bëjë transparencë, transparencë në të gjithë procesin”, - është shprehur Topi.

Prifti, katër orë në Prokurori, dorëzon videon origjinale

Pas katër orësh, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka dalë nga selia e Prokurorisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje mbi videon me zëvendëskryeministrin Ilir Meta, të transmetuar nga emisioni “Fiks fare”. Në një prononcim për mediat, Prifti ka bërë të ditur se ka dorëzuar kasetën origjinale të videos dhe është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë. “Sot u thirra nga Prokuroria dhe reagova menjëherë pozitivisht për të dhënë dëshminë time për videon e transmetuar nga ‘Fiks fare’. I kam sjellë Prokurorisë videon origjinale dhe shpresoj që ata që deklarojnë se janë kristal, t’u thonë të vërtetën shqiptarëve. U qëndroj deklaratave të mia dhe jam e do të jem në dispozicion të Drejtësisë gjithmonë”, - ka deklaruar Prifti. Ish-ministri i Ekonomisë mbërriti në Prokurori i shoqëruar nga forcat e rendit, përkatësisht nga agjentët e sektorit të mbrojtjes së dëshmitarit, për shkak se ka deklaruar edhe kohë më parë se ka marrë kërcënime për jetën.

Nikollë Lesi: “Janë edhe 3 ministra të tjerë të përfshirë në korrupsion”

Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, i ka kërkuar kryeministrit Berisha të bëjë në mënyrë urgjente ndryshime në qeveri duke shkarkuar disa ministra, pasi në radhët e maxhorancës ka emra intelektualë më të përgatitur se disa anëtarë të kabinetit.
“Kërkoj në cilësinë e kreut të LDK-së nga kryeministri që të bëjë ndryshime urgjente në qeveri para zgjedhjeve vendore, duke larguar disa ministra”, - ka deklaruar Lesi. Lesi ka kujtuar dhe kërkuar zbatimin e sloganit të partisë së tij, “Investime dhe arrestime”, pasi ndryshe maxhoranca i ka të humbura zgjedhjet e 8 majit. “Ikona e luftës kundër korrupsionit që e kemi valëvitur si maxhorancë në dy zgjedhje, ka rrezik të na thyhet nëse nuk zbatojmë edhe një slogan që paksa u bë problematik në fushatë, por që mbetet në dy fjalë: investime dhe arrestime. Që do të thotë, pranga në duart e çdo zyrtari të lartë të implikuar në korrupsion”, - ka pohuar Lesi. Ai ka deklaruar se ka edhe tre emra të tjerë ministrash të implikuar në korrupsion, ndaj ka kërkuar mbledhjen e menjëhershme të krerëve të partive të koalicionit për t’i treguar ato. “Kam 3 emra ministrash që duhen larguar sa më parë nga qeverisja. Nëse tryeza nuk mblidhet, unë do të rishoh pozicionin tim në qeveri”, - ka shtuar Lesi.

Policia arreston dy të rinj, “Mjaft”-i reagon: Nuk janë anëtarët tanë

Shërbimet e parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr.2 në Tiranë, pasi kanë konstatuar veprime të paligjshme gjatë një proteste të organizuar dje pranë selisë së LSI-së, kanë shoqëruar në ambientet e policisë dy shtetas: E. Xhani, 24 vjeç, me banim në Tiranë, dhe E. Brahimllari, 20 vjeç, me banim në Tiranë. Fill pas kësaj ngjarjeje ka reaguar lëvizja “Mjaft”, e cila mohon se këta dy shtetas nuk janë anëtarë të saj. “Me anën e këtij lajmërimi, lëvizja ‘Mjaft’ kërkon t’ju bëjë me dije se nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me incidentin e ndodhur në mesditë pranë ambienteve të selisë së LSI-së. Gjithashtu, studentët e arrestuar nga Policia e Shtetit nuk kanë asnjë lidhje me lëvizjen ‘Mjaft’ dhe nuk janë anëtarë të Mjaftit”, - shkruhet në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizjeje.

14 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›