E Diel, 1 Nëntor 2026

PAMECA zgjat edhe për një vit qëndrimin, mbështetje policisë

11/06/2011  Ministri Nishani në takim me Sekuin e BE-së: Kontributi ja ka vlejtur. Luftë krimit

TIRANË- Projekti “PAMECA 3”, që mbështet Policinë e Shtetit, do ta zgjasë edhe një vit punën. Kjo u vendos dje në takimin që ministri i Brendshëm Bujar Nishani pati me drejtues të këtij misioni mbështetës. Krahas këtij vlerësimi në mbledhjen e bordit të palëve të interesuara të “PAMECA 3” ministri Nishani evidentoi faktin se falë këtij projekti dhe të gjithë misioneve të tjera të asistencës policore Policia e Shtetit ia doli mbanë të përmbushë disa detyra e të përballojë disa sfida të rëndësishme. “Për realizimin e ëndrrës së lëvizjes së lirë Policia e Shtetit ka luajtur një rol të madh për të fituar besimin e vendeve partnere, si në aspektin e luftës kundër kriminalitetit, si në aspektin e kontrollit dhe menaxhimit të kufijve, ashtu dhe atë të ofrimit të dokumenteve të besueshme dhe të sigurt të udhëtimit për qytetarët shqiptarë”, - tha Nishani, duke theksuar rolin ndihmës të “PAMECA”-s për përmbushjen e këtyre detyrave. “Kam kënaqësinë të ndaj sot me ju eksperiencën pozitive të Policisë së Shtetit”, - iu drejtua të pranishmëve në takim ministri Nishani, duke shtuar se “Policia e Shtetit ka ditur të kapërcejë të gjithë situatat e vështira të përballjes me provokimet e ndryshme për thyerjen e rendit e cenimit të sigurisë me profesionalizëm, me guxim, larg çdo ndikimi politik.” Më tej Nishani shtoi se “jemi krenarë që në raportin paraprak të misionit të ODIHR-it kishte vlerësime maksimale pozitive për veprimtarinë, sjelljen dhe aktivitetin e Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit elektoral në Shqipëri. Kjo është një sfidë tjetër e madhe, të cilën Policia e Shtetit jo vetëm diti ta menaxhojë, por të ofrojë një model dhe një standard të ri për tërë shoqërinë shqiptare, për të gjithë aktorët dhe faktorët në Shqipëri. Ai garantoi se i gjithë kontributi i dhënë nga BE-ja dhe taksapaguesit e vendeve europiane përmes financimit të projekteve të tilla, përmes financimit të asistencës së tyre, përmes financimit e ofrimit të eksperiencës së institucioneve tuaja për institucionet shqiptare, për anëtarët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka rezultuar një sukses i vërtetë. Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Etore Sekui, vlerësoi në fjalën e tij arritjet e policisë shqiptare dhe përballimin e sfidave të sigurisë, duke përmbushur hap pas hapi standardet e Bashkimit Europian. Duke nënvizuar se deri më tani BE-ja e ka financuar projektin me rreth 7 milionë euro, ambasadori Sekui u shpreh se me zgjatjen edhe me një vit të projektit “PAMECA 3”, synohet të konsolidohet veprimtaria e Policisë së Shtetit në disa fusha si parandalimi dhe zbulimi i krimit në të gjitha nivelet, rritja e kapaciteteve të hetimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, përafrimin i mëtejshëm i procedurave të Policisë Kufitare dhe Migracionit me ato të BE-së dhe praktikat e mira ndërkombëtare dhe së fundi rritjen e bashkëpunimit mes strukturave policore dhe atyre të prokurorisë për një përdorimin racional dhe menaxhimin e informacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›