E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, Ramës: Ti nuk përfaqëson PS-në, por mafien masonike



Edi Rama nuk përfaqëson Partinë Socialiste, por një grup mafioz masonësh që kanë burime financiare të paqarta. Në këtë mënyrë akuzoi dje nga Malësia e Madhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreun e opozitës, Edi Rama, por dhe bashkëpunëtorët e tij, pjesë e klanit mafioz që po punon kundër shqiptarëve. “Edi Rama nuk është Partia Socialiste. Edi Rama nuk përfaqëson interesat e PS-së. Edi Rama është vetëm një klan njerëzish që përbëhet nga zotëria e tij, nga Koço Kokëdhima, nga Fidel Ylli, nga Dash Peza, nga Dulakët dhe nga të gjithë bosët e tjerë të ndërtimit, burimet e të ardhurave të të cilëve nuk janë fare fare fare të qarta. Ata janë masonë, nuk janë Partia Socialiste”, - deklaroi Topalli. Përpara simpatizantëve të PD-së, Topalli tha më tej se Rama nuk përfaqëson shqiptarët. Sipas saj, Rama nuk ka menduar ndonjëherë për qytetarët, sepse s’ka menduar kurrë për familjen e tij. “Edvin Rama s’ka menduar kurrë për qytetarët, sepse s’ka menduar kurrë për familjen e tij. S’ka menduar kurrë për familjen e tij, s’ka menduar kurrë për nënën e tij, s’ka menduar kurrë për partneret e tij, s’ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij?”, - deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit, duke iu kthyer çështjes së bojkotit të PS-së, tha se tentativat e Ramës do të përfundojnë në kosh dhe shprehu bindjen se vizat do të liberalizohen vitin e ardhshëm. “Çdo tentativë e tij do të shkojë në fund të koshit. Shqiptarët në korrik të 2010-s do të lëvizin pa viza”, - shtoi Topalli. Në lidhje me bojkotin e deputetëve të PS-së, Topalli tha se Rama po tenton të nxjerrë jashtë sistemit Partinë Socialiste me sjelljen e tij. Ajo deklaroi se Rama nuk ka asnjë moral si humbës të kontestojë zgjedhjet e 28 qershorit të cilat u certifikuan nga e gjithë bota demokratike. “Në cilin vend të botës, për institucionet që dalin nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga e gjithë bota, humbësi thotë që janë me legjitimitet të cunguar? I them Edvin Ramës: Je mbrapsht, je krejt mbrapsht me sjelljet e tua dhe kur kërkon të nxjerrësh jashtë sistemit Partinë Socialiste”, - deklaroi kryeparlamentarja. Duke qëndruar tek ndërkombëtarët, ajo tha se 16 nëntori është një datë historike, pasi vendet e BE-së i thanë “po” integrimit të Shqipërisë. Topalli shtoi se po-ja e vendeve të BE-së ishte edhe një miratim për zgjedhjet e 28 qershorit. “Nuk ka krenari më të madhe sesa, bashkë me çdo shqiptar, të jem pjesë e arritjes që Shqipëria të konsiderohet një vend që e ka fituar betejën me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më 16 nëntor, 27 vende, 27 qeveri të Bashkimit Evropian na thanë: “Po. E kaluat shkëlqyeshëm provën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, - tha ajo. Në këtë kuvend të PD-së, Topalli ftoi qytetarët e Malësisë së Madhe të marrin pjesë në festën e 8 Dhjetorit në Tiranë. “Do të festojmë më 8 dhjetor 19-vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, në Shqipëri, në Tiranë. Është një përvjetor në të cilin ne e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, e rrëzuam edhe Sulejman Bushatin, ju e njihni”, - ftoi Topalli. Kryeparlamentarja premtoi se ky mandat i dytë do të sjellë më shumë për qytetarët shqiptarë. “Ky katërvjeçar do të jetë i jashtëzakonshëm. Në gjysmën e vitit të ardhshëm shqiptarët do të lëvizin pa viza dhe së shpejti do të bëjmë të mundur që të jemi qytetarë të BE-së, ashtu siç jemi qytetarë të NATO-s”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga Malësia e Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›