E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i GJND-së hap bisedimet

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do t’u hapë rrugë bisedimeve për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Vendimi dhe debatet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ofrojnë baza konstruktive për debat të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës, për të gjetur zgjidhje për problemet”, tha ai, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ndërkaq, në konstatimin për fërkime mes zyrës së tij dhe asaj të Kryeministrit Hashim Thaçi, Feith vlerësoi se marrëdhëniet e ndërsjella bazohen në “partneritetin e ngushtë” dhe se ka shumë punë për t'u bërë dhe se do të vazhdojë ta këshillojë Qeverinë. Për sa u përket sugjerimeve të tij që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë “ndryshime të mëdha”, Feith mohoi ta ketë kritikuar riorganizimin e Qeverisë, duke shtuar se angazhohet më shumë që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, si ndër sfidat kryesore, tha ai.

Duke folur për hetimet që po bëhen ndaj Ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj, nën akuzat për korrupsion, Feith konfirmoi se "hetimet duhet të vazhdojnë" dhe se "nuk duhet të politizohen". Ai theksoi se mbështet "deri në fund EULEX’in për këtë", ndërsa siç tha, është edhe qëndrim i Brukselit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›