Vendimi i Hollandës, Balla: Ne i kemi plotësuar kushtet! Po presim Komisionin Europian!

Numri dy i PS, Taulant Balla ka reaguar të hënën pas lajmit se Qeveria e Holandës ka zyrtarizuar vendimin e saj kundër thirrjes së tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Zoti Balla tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe se është në pritje të vendimit zyrtar vetëm nga Komisioni Europian. “Presidenca gjermane që përfundon në 31 dhjetor të këtij viti, kanë në objektivat e veta mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” tha zoti Balla. “Përsa i përket vlerësimit nëse Shqipëria i ka plotësuar detyrat e veta apo jo, vlerësimi i vetëm zyrtar është vlerësimi i Komisionit Europian që paguhet nga taksapaguesit europianë për të bërë vlerësim korrekt të pritshmërive dhe të përmbushjes së parakushteve që vendet si ne kanë pasur nga Këshilli Europian i 25 marsit deri në fund të tetorit për detyrat. Komisioni Europian ka vlerësuar së Shqipëria i ka përmbushur parakushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare” tha zyrtari i lartë i PS.