E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetari njujorkez: Ju rrëfej mafian shqiptare

SHKRUAN: Alfred Lela 17-06-2011 11:48

Do t’ia nis me një pyetje që shumë njerëz jua kanë bërë ndërkohë: pse i hytë kësaj? Pse ky interes për krimin e organizuar shqiptar, jo si të tillë, por si një mënyrë për t’u treguar njerëzve mjerimin e tij dhe për t’u përpjekur për të parandaluar të rinjtë nga të rrëshqiturit në këtë lloj jete? Në njëfarë mënyre, gazetari dhe punëtori social janë përzier në një, apo jo?

Po, keni plotësisht të drejtë në atë që ju quani përzierje të të dyjave. E ndiej edhe unë dhimbjen e Parid Gjokës, i shkatërruar nga humbja e të dashurës, këngëtares Anita Bitri; ndiej për atë vajzën e re që sapo mbërriti në Amerikë nga Shqipëria, që punon në një klub në Detroit, lodhet dhe do të kthehet në atdhe; ndiej për nënën e moshuar shqiptare zemërthyer pse i biri, të cilin ajo dhe i ati e duan shumë, duhet t’i nënshtrohet një gjyqi dhe të dëgjojë gjithë ato gjëra të tmerrshme, që as që e kupton se ç’po ndodh aty dhe mua më duhet t’i shpjegoj, sepse askush tjetër nuk e bën; ndiej për ata djem që kanë patur revolen te koka dhe u është dashur të kërkojnë t’u falet jeta; ndiej për ata djem që dikur punonin si bojaxhinj, picaxhinj, ndërtues, që iu futën rrugës së krimit dhe tani u duhet të kalojnë ç’u ka mbetur nga jeta, pa asnjë shans lirimi, në një qeli burgu; ndiej për mënyrën sesi ata lënduan, përndoqën dhe e vranë njëri-tjetrin me aq gjakftohtësi.

Mendoj se çdo person ndoshta meriton Wire-in e tij (serial televiziv shumë autentik dhe shumë i mirë). Kriminelët e vegjël, kapot, grupet e çunave, gangot, bandat, miqtë, partnerët etnikë, mafia. Ata bashkohen, njëjtësohen, kombinohen dhe shpërbëhen kaq shumë dhe shpesh, sa as vlerë nuk ka. Akademikja me të cilën fola i mati ata në asete dhe peshë tregu. Në shumë forume mbi krimin bëhet loja “kush do të fitojë”: ninxha apo Huni, Godzilla apo bisha tjetër; Engjëjt e Ferrit apo të fortët nga Brukseli. Kësaj radhe është Crips kundër Karteleve, kundër Shqiptarëve, kundër Rusëve, kundër Kinezëve. Njerëzit që njoh në Amerikë (përjashto ata në botën e krimit dhe polici, FBI e të tjera) nuk dinë asgjë për Shqipërinë. Europianët kanë vetëm një stereotip: shqiptarët janë të këqij për vendin e tyre (Gjermani, Angli, Greqi, Itali etj.) kur vijnë ata shkaktojnë dhe kryejnë krime. Doja të rrëfeja historinë autentike, me sa të mundem, kush janë këta njerëz, jo stereotipet.

Cili është tipari më interesant i jetës mbi të cilën keni raportuar dhe i “të fortëve” me të cilët jeni takuar? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Dy bandat që dikur punonin bashkë u ndanë: një përleshje dhe më pas plasi lufta. Grupi A, në një moment, e kishte në thep të pushkës një rival, por lideri nuk mundi ta tërhiqte këmbëzën, nuk mundi të qëllonte. Ai u dha urdhër të tijve të mos qëllonin: u kujtua për kohën kur ishin shokë me targetin; si ishin si vëllezër; gjërat që bënin bashkë; kohën që kalonin bashkë. Anëtarët e grupit A e quajtën liderin e tyre të butë, filluan ta përçmonin sepse nuk mundi ta tërhiqte këmbëzën. Të njëjtët rivalë, pak kohë më vonë, hasën në një tjetër djalë nga grupi A, shokun më të mirë të liderit që nuk tërhoqi këmbëzën-dhe e vranë.

Ka diskutime kur vjen fjala te emërtimi i hajdutëve dhe kriminelëve shqiptarë si Mafia Shqiptare. Profesoresha nga John Jay College, që ju intervistuat, eksperte e krimit shqiptar dhe baltik, me sa dukej nuk ishte dakord se Krasniqët mund të konsideroheshin Mafia. A mendoni se kjo ideja e Mafias Shqiptare është fryrë ca si shumë?

Jo. Nëse ke një armë dhe vret dikë, ti i merr gjithë jetën një personi, të gjitha kujtimet, ua heq atë shokëve, familjes-ai nuk do të jetë në gjendje të qeshë më kurrë. Kjo është diçka rrëqethëse-nuk ka rëndësi nëse je kapo, mafia, një i fortë në kafene, adoleshent që do të dukesh si gangster apo çka.

Aleks Rudaj u përmend si koka e Familjes së Gjashtë të New Yorkut por, po të shohësh si shkuan gjërat për të dhe grupin e tij, e gjitha kjo nuk duket më shumë se një “kompliment” i ekzagjeruar?

I mbyllur në burg, i mërzitur ku s’ka më, mes zhurmave, pa privaci. Kam qenë në këto burgje, asgjë e lavdishme në to. Jeta e njëmendtë apo jeta e Mafias; çdokush mund të jetë i famshëm për 15 minuta, më pas bota vazhdon përpara dhe të harron.

Më bëri përshtypje përfundimi juaj në artikullin mbi mafian shqiptare, përkthyer dhe botuar edhe te gazeta MAPO: shqiptarët janë të dëshpëruar dhe duket se ata e bartin këtë dëshpërim kudo shkojnë… A është ky dëshpërim përgjegjës për mungesën e sofistikimit të skenës së krimit shqiptar?

Nuk dua të bëj përgjithësime, por mendoj se shqiptarët janë të fortë, me nder, të vështirë, trima (qoftë kur është fjala në krim apo në jetën normale të përditshme). Gjithë këta djem që kishin në dorë qindra mijëra dollarë e ndoshta miliona dhe ishin të përfshirë në trafikun e të gjitha llojeve të drogave, në të gjitha mënyrat: me tre celularë me vete, me kode, pengmarrje dhe shtëpi sekrete (ata që FBI ndjek, përgjon dhe që janë në gjyq për krim të organizuar dhe të lidhur me biznese legjitime) - pak kohë më parë ishin çatipunues, pizza boys, ndihmës kamerierë, punëtorë ndërtimi - mendojnë se ekziston një vijë e hollë mes sofistikimit ose mungesës së tij. Unë mendoj se sofistikimi i njëmendtë - i forcave të rendit apo këtyre bandave - ekziston vetëm në televizion.

A do ta ndiqni gjyqin e Krasniqëve dhe a mund të na jepni ndonjë informacion se çfarë pritet nga ky gjyq dhe si po shpalosen gjërat deri më tash?

Sigurisht do ta ndjek. Gjëra shumë, shumë të forta dhe të tmerrshme do shpalosen në këtë gjyq. Do të shkruaj për këtë rast, pas marrjes së vendimit, gjë që do të ndodhë së shpejti (shumë njerëz të afërt me këto mjedise po më kontaktojnë, në mënyrë që në shkrim të fus edhe zërat e dijenitë e tyre).

Almir Rrapo u ekstradua nga Shqipëria në Amerikë me garancinë se nuk do të dënohej me vdekje. A ekziston opsioni i dënimit me vdekje për ndonjë nga anëtarët e bandës Krasniqi?

Po pritet që vendimi për Bruno dhe Saimir Krasniqin të jetë “dënim me vdekje”.

Edhe diçka tjetër: në shkrimin tuaj duket se bëni një dallim mes shqiptarëve të jugut dhe veriut. Përmendni se sherri i Manokut erdhi pas një argumenti veri-jug. M’anë tjetër ju nuk përmendni atë se, megjithëse gjithë këta djem janë shqiptarë, ata vijnë nga vende të ndryshme në Ballkan: Maqedonia, Kosova, Mali i Zi…

Keni të drejtë. Kjo është më shumë një histori ballkanike dhe/ose e Diasporës Shqiptare. Nganjëherë kur shkoj në klubet shoqërore në New York ata thonë: “ne jemi nga Serbia, Mali i Zi, Kosova etj.”. Kam një listë të gjatë krimesh që vijnë nga Serbia. Këta djemtë në gjyq kanë të bëjnë me italianë e grekë - është një kazan shkrirës. Fatkeqësisht nuk jam ekspert në çështjet shqiptare, historinë, gjeopolitkën dhe as i Ballkanit. Këto i di vetëm sipërfaqësisht dhe ka nga ata që i kanë studiuar gjatë gjithë jetës. Nuk kam tagër të flas për këtë aspekt dhe them se do t’i rri larg në artikujt e ardhshëm. Do të shkruaj vetëm ato që di, për njerëzit që takoj, çfarë po ndodh këtu dhe tani me këta burra e gra dhe familjet e tyre, apo forcat e rendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›