Vendimi i Kolegjit, PS: Përsëritja e zgjedhjeve obsion i mundshëm
TIRANË- Pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për numërimin e të gjitha fletëve të votimit të hedhura gabimisht në kutinë tjetër, Partia Demokratike nuk gjen vend për një tjetër ankimim të PS-së në Kolegj, ndërsa për opozitën mbetet sërish i pandryshuar obsioni për përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë. Në një deklarim për mediat, ekspertët e të dyja partive kryesore, PD e PS përkatësisht Enkeleid Alibeaj dhe Damian Gjiknuri, ndajnë mendime të ndryshme për rrugën ligjore që do të ndiqet pas procedurës së KQZ-së. “Ajo çka do të ndodhë në KQZ do të jetë vetëm ekstratimi i këtyre fletëve të tjera, nëqoftëse ato ekzistojnë në 368 kutitë e qendrave respektive, nxjerrja e tyre, vlerësimi dhe tabulimi përfundimisht i rezultatit të njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë...Ky është një veprim aritmetikor dhe konteksti i vetëm që mua më shkon në mend është nëse mbledhja apo shuma aritmetikore do të bëhet në rregull dhe vetëm kjo do të jetë mundësia e vetme që ndonjë mendje ta çojë rezultatin eventual që do të deklarohet nga ana KQZ-së në një ankimim eventual në Kolegjin Zgjedhor”,- tha dje në një deklarim për mediat, deputeti i PD-së, Enkeleid Alibeaj. Ndërsa eksperti i PS-së, Damian Gjiknuri, shprehet se përsëritja e zgjedhjeve është një obsion, që e ka parashikuar Kodi Zgjedhor. “Përsëritja e zgjedhjeve mbetet një obsion që e parashikon Kodi Zgjedhor. Është një proces administrativ në punë e sipër, sepse KQZ-ja duhet që të kryejë hetime të tjera pastaj do të gjykojnë nëse ky proces është i ligjshëm ose jo...”, tha dje Gjiknuri. Ai shtoi se përmes vendimit të Kolegjit është pranuar paligjshmëria e procesit dhe shkelja e barazisë së votës. Ndryshe e lexon deputeti tjetër, Alibeaj, vendimin e Kolegjit. “Nga 485 qendra votimi shumëzuar për katër kuti për kryetarin, këshillin bashkiak, për kryetarin e minibashkisë dhe për këshillin e minibashkisë do të zbresë të gjitha ato kuti të cilat i kanë numëruar njëherë në bazë edhe të kërkesës që bëri PD-ja dhe për pjesën tjetër do të kryejë një veprim empirik të hapjes së këtyre kutive, nëse ka fletë votimi për kryetarin të hedhura aksidentalisht, do t’i numërojë ato, më pas vlerësojë dhe rezultati që do të dalë do t’i tabulohet rezultatit përfundimtar”, tha Alibeaj. Këto fletë, sipas tij, ndodhen jo vetëm në zarfin e fletëve të kontestuara, por edhe në ato të pavlefshmet. “Mund të ketë ndodhur që nga anëtarët e grupeve të numërimit apo edhe nga KZAZ-të përkatëse, kur është gjetur një fletë votimi aksidentalisht diku tjetër, të jetë deklaruar dhe pastaj depozituar te zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme. Kolegji në këtë rast thotë se duhet të merret, vlerësohet dhe tabulohet më pas”, - shtoi Alibeaj. Në bazë të vendimit të dy ditëve më parë të Kolegjit Zgjedhor, hetimi administrativ do të kryhet përmes hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara), pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimmarrje në lidhje me këtë fletë. Kjo procedurë e ndjekur për 117 kuti votimi, sipas Kolegjit Zgjedhor, do të duhet të shtrihet edhe në pjesën e mbetur të QV-ve në Zonën Zgjedhore të Bashkisë Tiranë. Sipas vendimit, rezultatet e vlerësimit të votave duhet të pasqyrohen në proces-verbalet e mbledhjes se KQZ-së dhe në tabelat përkatëse.