Vendimi i Sejdiut, në përputhje me Planin Ahtisaari

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith mbështet vendimin e presidentit Fatmir Sejdiu për të realizuar zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë në vitin 2011-të. Në bazë të dispozitave të propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit për zgjedhjet, përfaqësuesi ndërkombëtar civil, Peter Feith ka ardhur në përfundim se vendimi i presidentit për t'u mundësuar institucioneve qendrore të përmbushin mandatin e tyre sipas Kushtetutës është në përputhje me propozimin gjithëpërfshirës për statusin, duke mos rrëzuar planin Ahtisaari. Feith pret që të vazhdojë të punojë me udhëheqësit e Kosovës, komunitetet dhe qytetarët e saj për zbatimin e plotë të propozimit gjithëpërfshirës për statusin.Presidenti Sejdiu ndërkaq, ka thënë se institucionet qendrore të Kosovës, të zgjedhura në mënyrë demokratike nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007-të, do të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi deri në zgjedhjet e ardhshme në 2011-ën.