Rice - Livni,takim për armët në Gazë

Sekretarja amerikane e shtetit në ikje Kondoleza Rajs dhe ministrja izraelite e Punëve të Jashtme Tzipi Livni kanë arritur një marrëveshje në Uashington për ndalimin e kontrabandës së armëve drejt Rripit të Gazës. Bllokimi i trafikut të armëve drejt territorit të kontrolluar nga Hamasi është një nga kushtet e kërkuara nga Izraeli për të pranuar armëpushimin dhe për të ndaluar ofensivën në Gaza. Sekretarja amerikane e shtetit Rajs ka deklaruar se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës do të arrihet shumë shpejt, por sipas saj nuk është e thënë që një gjë e tillë të ndodhë para marrjes së detyrës së re të Presidentit Obama. "Hapat që mund të ndërmarrim ne dhe anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtarë do të kontribuojnë për një armëpushim të qëndrueshëm", u shpreh Rajs. Sipas Rajs, humbja e jetëve të mijëra civilëve të pafajshëm palestinezë ishte shqetësuese për Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që ministrja e Jashtme izraelite Livni tha se vendi i saj duhej të vetëmbrohej ndaj sulmeve me raketa të Hamasit dhe se nuk mund të lejonte rrezikimin e jetëve të qytetarëve. Sipas Livnit, Izraeli po punon për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. Ndërkaq Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhat është shprehur se shtetet myslimane duhet të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet me Izraelin dhe SHBA-në për të ndihmuar në përfundimin e ofensivës izraelite kundër Gazas. Teksa televizioni arab Al Xhazira ka njoftuar se Katari dhe Mauritania kanë vendosur të pezullojnë marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Izraelin. Luftimet dhe terrori në Rripin e Gazës kanë vazhduar, duke e cuar në rreth 1050 numrin e të vrarëve, si dhe mbi pesë mijë të plagosur.