Vendimi, ja tarifat e reja për regjistrimin e pronave
Rreth 25 tarifa të shërbimeve të Zyrës së Regjistrimit të Pronave janë rritur dje nga qeveria. Rritet tarifa për regjistrimin provizor të karabinave. Qeveria: Tarifat aktuale nuk mbulojnë kostot
Qeveria ka miratuar dje ndryshimin në rreth 25 tarifa për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme aktualisht ofrojnë 26 shërbime, tarifat e të cilave së fundmi janë miratuar që në vitin 1996 dhe deri më sot asnjëra prej tyre nuk ka ndryshuar. Duke marrë në konsideratë reformën në të cilën është përfshirë hipoteka këtë vit, Ministria e Drejtësisë në konsultim me Ministrinë e Financave i ka propozuar qeverisë tarifat e reja, të cilat u miratuan dje. Ministria e Drejtësisë e argumenton rritjen e tarifave të shërbimeve me faktin se tarifat aktuale nuk i mbulojnë kostot e shërbimeve dhe në këtë mënyrë nuk garantohen shërbime normale cilësore dhe në kohë ndaj publikut. Në argumentin e rritjes së tarifave thuhet se, në objektivat afatshkurtër të ZRPP-së në kuadër të implementimit të strategjive të modernizimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, është edhe ndryshimi i statusit të institucionit në një agjenci vetëfinancuese, me qëllim rritjen e efektivitetit të shërbimeve publike të ofruara, nëpërmjet një menaxhimi më të mirë operativ dhe financiar. Relacioni shoqërues për rritjen e tarifave sqaron se, vetëfinancimi do të kontribuojë në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin, nëpërmjet një menaxhimi më efikas të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, qëllim i cili do të arrihet vetëm duke zhvilluar struktura dhe tarifa, të domosdoshme për të përmbushur me efektivitet të gjitha veprimtaritë e institucionit. Ministria e Drejtësisë bën me dije se, kjo rritje e tarifave është e domosdoshme për funksionimin e institucionit të Hipotekës. Ministria thekson thotë se është bërë një studim në lidhje me rritjen e tarifave, i cili është mbështetur në logjikën kryesore që realizimi i të ardhurave duhet të mbulojë kostot. Sipas ministrisë së Drejtësisë numri i shërbimeve për t’u realizuar nga zyrat e hipotekës për vitin që vjen do të jetë 12 për qind më i lartë se, parashikimi i bërë në vitin 2011. Ndërsa numri i punonjësve aktualë që punojnë direket në shërbime është i pamjaftueshëm për të përballuar kryerjen e të gjitha shërbimeve të kërkuara nga klientët për vitin 2012. Kështu, kostoja totale të parashikuara për vitin 2012 do të shpërndahen për çdo shërbim, duke përpjesëtuar me koeficientin përkatës të çdo shërbimi. Kështu, përveç propozimeve të bëra mbi kategorinë e parë të shërbimeve, për të cilat përcaktimi i tarifave është bërë në funksion të kostos së shërbimeve për kategorinë e dytë të shërbimeve, propozohet që tarifa e shërbimit për Regjistrimin Fillestar të Veçantë të lihet e pandryshuar.
Lista e tarifave të shërbimit të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Nr. Lloji i shërbimeve
Tarifa e re në lekë
1- Lëshim i certifikatave të pasurisë 1500
2- Kërkesë për regjistrim të pronësisë së pasurisë së paluajtshme 700
3- Kërkesë për regjistrimin e pjesëtimit të ndarjes ose të bashkimit të pasurive 700
4- Kërkesë për konsultim të kartelës dhe të dhënave të tjera të pasurisë 700
5- Kërkesë për informacion zyrtar të regjistrimit të pasurive 800
6- Kërkesë për lëshim të kopjes së certifikatës së pasurive 800
7- Kërkesë për saktësimin e kufijve 2500
8- Kërkesë për përgatitjen e dokumenteve në gjykatë 900
9-Kërkesë për regjistrim kalim pronësie, qiraje, nënqiraje 3500
10- Kërkesë për regjistrim hipoteke, hipotekë ligjore 1000
11- Kërkesë për regjistrim për fshirje hipoteke, hipotekë ligjore 1000
12- Kërkesë për regjistrim për fshirjen e një vendimi gjykate, të një akti 1000
13- Kërkesë për regjistrim servituti, marrëveshje kufizuese 900
14- Kërkesë për regjistrim për fshirjen e një marrëveshjeje kufizuese 900
15- Regjistrim i kërkesave për heqjen dorë nga të drejtat pasurore 800
16- Regjistrim i kërkesave për trashëgiminë e pronësisë mbi pasurinë 700
17- Kërkesë për korrigjimin e gabimeve materiale në kartelë 700
18- Kërkesë për lëshim kopjeje kartele harte treguese ose pjese të saj 1000
19- Kërkesë për fotokopje të dokumenteve të pasurive, për çdo faqe 200
20- Lëshim vërtetim pronësie negative 300
21- Lëshim vërtetim pronësie 1500
22 a) Regjistrim fillestar i pasurive të paluajtshme në zonat urbane pa rivelim e azhornim
të pasurisë nga zyrat e regjistrimit të pasurive 5000
22 b) regjistrim fillestar i pasurive të paluajtshme në zonat urbane me rivelim azhornim
të pasurisë nga zyrat e regjistrimit të pasurive 8000
23 a) Shërbime për veprimet e bankave të institucioneve të tjera kredidhënëse për kredi
me vlerë 1 000 000 lekë 7500
b) Shërbime për institucionet e bankave dhe institucionet e tjera kredidhënëse për kredi me vlerë 1000 001 deri 10 000 000 lekë 15 000
c) Shërbime për veprimet e bankave dhe institucionet e tjera kredidhënëse për kredi me vlerë mbi 10 000 000 lekë 25 000
24- Regjistrim fillestar i veçantë i pasurive të paluajtshme në zonat rurale 30 000
25- Regjistrim provizor i karabinasë 6500
Vërtetim prone për kredi, tarifat rriten me 2.5 herë
Në tarifat e ndryshuara për shërbimet që ofron hipoteka, rriten më së shumti tarifat e shërbimeve për vërtetimet ndaj atyre që aplikojnë për kredi në banka dhe ndaj biznesit të ndërtimit për regjistrimin provizor të karabinave. Shërbimi për “Kërkesë për regjistrimin e veprimeve juridike mbi pasuritë e paluajtshme nga personat fizikë dhe juridikë me banim jashtë shtetit”, propozohet të mos ekzistojë më, për arsye të barazimit të tarifave ndërmjet atyre që jetojnë jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa tarifat e shërbimeve të veprimeve me bankat e institucionet e tjera kredidhënëse për kredi me vlerë mbi 1 milion lekë propozohen që tarifat të rriten me 2.5 herë. Kjo duke marrë në konsideratë faktin se, shërbimi që do t’u ofrohet bankave dhe institucioneve të tjera kredidhënëse do të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Ndërsa tarifa për regjistrimin provizor të karabinave është rritur me vlerën e 6500 lekëve, duke i klasifikuar tarifat e shërbimeve për bizneset të përshtatshme dhe të përballueshme nga ana e tyre.