E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, ligj për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

Këshilli i Ministrave miratoi dje ligjin "Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja". Ministritë dhe pushteti vendor do të kenë më shumë përgjegjësi. Ja risitë


Ministria e Mjedisit dhe ministria e Shëndetësisë, si edhe organet e qeverisjes vendore do të kenë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, pasi ato do të marrin një sërë masash jo vetëm për informimin e publikut, por edhe për menaxhimin e ndotjes së ajrit.


Këshilli i Ministrave miratoi dje ligjin "Për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja", sipas të cilit janë vendosur normat e ndotjes së ajrit sipas standardeve ndërkombëtare, plani i monitorimit dhe i menaxhimit të cilësisë së ajrit, si edhe detyrat e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e popullatës nga ndotja e ajrit.


Plani


Plani i monitorimit dhe i menaxhimit të cilësisë së ajrit sipas ligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave do të realizohet sipas disa kritereve. "Për monitorimin dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit hartohet një plan, në të cilin territori i Republikës së Shqipërisë ndahet, sipas zonave të vçanta të monitorimit të cilësisë së ajrit" bëhet e ditur në VKM, duke u shpjeguar se plani jep hollësi për zonat e monitorimit të cilësisë së ajrit, të cilat do të klasifikohen si "grumbullime", në rast se në to ka një përqendrim popullsie më të lartë se 250 000 banorë; në to ka një përqendrim popullsie më pak se 250 000 banorë, por me dendësi për km², që justifikon nevojën për një rivlerësim dhe menaxhim të cilësisë së ajrit të mjedisit.


"Sipas mendimit të ministrit, bazuar në të dhënat studimore, burimi apo burimet ndotëse dhe dendësia e lartë e popullsisë për km² justifikojnë nevojën e vlerësimit të cilësisë së ajrit", - thuhet në VKM.


Menaxhimi


Këshilli i Ministrave ka vendosur që për zonat e monitorimit të cilësisë së ajrit, në të cilat nivelet e ndotjes së ajrit janë poshtë vlerave kufi të cilësisë së ajrit dhe/ose vlerave të synuara të cilësisë së ajrit, Ministria dhe organi përkatës i qeverisjes vendore marrin masa për informimin e publikut, për menaxhimin e këtyre niveleve, duke i mbajtur ato nën vlerën kufi dhe/ose në vlerën e synuar të cilësisë së ajrit.


"Nëse nga monitorimi i cilësisë së ajrit brenda zonës së monitorimit, konstatohet se vlerat kufi dhe/ose vlera kufi e synuar e cilësisë së ajrit dhe ndonjë kufi tjetër tolerance i zbatueshëm nuk arrihen ose ka shumë mundësi që kjo të ndodhë, ministri e cakton këtë zonë si zonë veprimi për cilësinë e ajrit, duke marrë dhe masat përkatëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit", - bëhet e ditur në VKM, duke u shtuar se për parandalimin dhe/ose pakësimin e ndotjes së cilësisë së ajrit hartohet Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit, me afat 5 - vjçar, i cili rishikohet dhe përditësohet herë pas here, nëse është e nevojshme dhe se Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit, përpara se të miratohet, diskutohet, paraprakisht, me publikun, e pas miratimit bëhet publik.


Ndotja e ajrit, ja përgjegjësitë e organeve vendore


Zbatueshmëria e planeve vendore të veprimit për cilësinë e ajrit janë caktuar në ligjin "Për mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja". Sipas këtij ligji, organi i qeverisjes përkatëse vendore, për zbatimin e planit vendor të veprimit për cilësinë e ajrit, nxjerr akte normative, për mbrojtjen e ajrit.


"Të rishikojë kërkesat e shkarkimeve në ajër, që përmban leja mjedisore, ose ta pezullojë atë; të pezullojë ose të kufizojë shkarkimet në ajër nga çdo burim tjetër dhe të mbyllë përkohësisht ose përgjithmonë rrugët e qarkullimit të automjeteve, të përfshira në zonën e veprimit për cilësinë e ajrit", bëhet ditur në VKM, duke u shtuar se qeveria vendore duhet të vendosë kufizime për përdorimin e rrugëve nga automjetet me motor, duke mos përfshirë kufizimin e përdorimit të këtyre rrugëve për transportin publik dhe të banorëve dhe të parashikojë kufizimin e parkimit dhe/ose të ngarkimit.


Gjithashtu, sipas VKM-së, duhet që organet vendore të parashikojnë për automjetet me motor, vendet e shkarkimeve e të qëndrimeve, gjatë përdorimit të rrugëve, në zonat në ndërtim, si edhe të rregullojë më mirë trafikun, për të pakësuar ose për të parandaluar bllokimin.


Ndërkohë, në ligj thuhet se organet vendore duhet të ndalojnë përdorimin e mjeteve me motor me djegie të brendshme, në zonat në ndërtim dhe të përcaktojë kërkesa specifike, të detyrueshme për t'u respektuar gjatë veprimtarive ndërtuese dhe në kantieret e ndërtimit.


Mbrojtja e mjedisit, detyrim për të përmbushur standardet


Mbrojtja e mjedisit nga ndotja tashmë është detyrim që vendi ynë duhet ta zbatojë në mbrojtje të qytetarëve. Janë pikërisht Organizatat Ndërkombëtare, të cilat po mbështesin vendin tonë për mbrojtjen e mjedisit, por nga ana tjetër janë pikërisht këto organizata, të cilat do të bëjnë edhe vlerësimet se sa ka arritur vendi ynë që t'i përmbushë këto standarde.


Madje, disa nga këto organizata kanë nisur edhe edukimin qytetar në lidhje me mjedisin dhe një ndër këto është UNICEF, e cila prej disa muajsh po zbaton një program në disa shkolla 9-të vjçare të vendit për edukimin e nxënësve në lidhje me mbetjet plastike. Në bazë të këtij programi, fëmijët edukohen për rrezikshmërinë e këtyre mbetjeve dhe janë aktiv për t'i grumbulluar në vendet e posaçme për t'i ricikluar ato.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›