Gruaja me fyt të prere në spital, mister shkaqet

Fiqirete Allmuça, 55 vjeçe, mbërriti dje në mëngjes në spitalin ushtarak e prerë në laring me mjete të mprehta
Dyshimet e policisë flasin për një vetëvrasje si më të mundshme. E plagosura kalon rrezikun pas operacionit
TIRANË- Përfundon me fyt të prerë në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore një grua nga fshati Baldushk i Tiranës.
Ngjarja është raportuar si tentativë e gruas për vetëvrasje, ndërsa dyshimet e policisë janë drejtuar në disa pista të mundshme një prej të cilave është edhe ajo e një krimi në familje.
Fiqirete Allmuça, 55 vjeçe, banuese në fshatin Baldushk të Tiranës, mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore dje rreth orës 02:00, pas mesnate, me një plagë në fyt. Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit që pohuan se se gruaja, është dërguar në spitalin ushtarak.
Mjekët kanë vënë re se gjendja e saj ishte në rrezik për jetën, për shkak se vërehej një prerje në fyt me një send të mprehtë, ndoshta thikë. Ndërkaq ende nuk dihen motivet e sakta të ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Plaga e marrë nga e dëmtuara Allmuça, nga Baldushku ka qenë serioze, çka ka bërë që ata të ndërhyjnë menjëherë për të kryer një operacion ndaj gruas për t'i shpëtuar jetën. Ndërkohë është njoftuar edhe policia, për ngjarjen në fjalë.
Pas një operacioni që ka zgjatur rreth 30 minuta, ajo ka shpëtuar falë kësaj ndërhyrjeje dhe është dërguar më pas në sallën e reanimacionit për t'u mbajtur nën vëzhgimin e mjekëve, pasi edhe pse operacioni kishte përfunduar me sukses, ajo rrezikonte të kishte probleme serioze.
Ndërkohë që gruaja i është nënshtruar operacionit kirurgjikal të mjekëve kirurgë specialistë, policia ka mbërritur në spitalin ushtarak, menjëherë pas njoftimit të marrë për të hetuar ngjarjen.
Ndërkaq, burime të spitalit ushtarak referuar të afërmëve në spital që janë kujdesur për gruan, pohuan dje në mesditë për "Shekullin" se gruaja kishe tentuar të kryente vetëvrasje.
Një version të tillë pjesëtarët e familjes, ia kanë pohuar edhe hetuesve të zyrës së vrasjeve gjatë marrjes së deklarimeve prej tyre nga specialistët përkatës.
Veç pyetjes së tyre në spital, hetues të policisë kanë mbërritur edhe në banesën e gruas së plagosur me thikë në fyt, për të kryer edhe atje veprime hetimore. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar një send të mprehtë me të cilën dyshohet se ka tentuar të vetëvritet gruaja 55- vjeçare.
Ndërkaq ekspertët kanë kryer veprimet e tyre në banesë dhe kanë marrë deklarime të dëshmitarëve të ndryshëm. Dyshimet e policisë janë ngritur së pari në drejtim të një tentative vetëvrasjeje të gruas për shkak të gjendjes depresive.
Si pistë të dytë, policia ka renditur edhe atë të një krimi të mundshëm familjar. Gjithsesi, sipas burimeve të policisë, një pistë e tillë është më pak e mundshme pasi shumë nga dëshmitë e marra nga policia përputhen me njëra- tjetrën.