Vrasja e Markut, alibia dhe analizat kimike lirojnë nga qelia Vladin
Tiranë Lirohet me urdhër të prokurorisë, Astrit Vladi, i arrestuar dy ditë më parë nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së 31-vjeçarit Pavlin Marku. Mesditën e djeshme prokurori i çështjes ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçarit Vladi, pasi policia nuk kishte asnjë provë direkte në ngarkim të tij. Burime të rezervuara pohuan se vendimi për lirimin e të dyshuarit është marrë pas një analize që grupi hetimor i ka bërë dosjes së përpiluar nga hetimet e deritanishme. Sipas analizës, rezulton se policia nuk ka mundur të sigurojë asnjë provë direkte që implikon Astrit Vladin në vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës pranë vendit të quajtur “Kthesa e Kamzës” në kryeqytet. Arrestimi i 34-vjeçarit është kryer mbi bazën e dëshmisë së një prej miqve të viktimës, i cili ka pohuar se Pavlini kishte një konflikt me Astrit Vladin, madje disa ditë më parë ata kishin debatuar ashpër dhe ishin përleshur me njëri-tjetrin. Kaq duket se i ka mjaftuar policisë për të prangosur Vladin si të dyshuar, ndërsa një ditë më pas ai është liruar me urdhër të prokurorit. Vendimi i prokurorisë argumenton se nuk ka prova të mjaftueshme për ndalimin e Astrit Vladit si i dyshuar në vrasje dhe për këtë arsye ai nuk mund të qëndrojë në qeli. Në këtë konkluzion është arritur pas analizimit të të gjitha provave dhe të dhënave që ka mundur të mbledhë policia, ku përveç konflikit me viktimën, të arrestuarin nuk e implikonte asnjë provë tjetër në vrasje. Analizat kimike, por edhe regjistrimet e paraqitura në favor të alibisë së tij, ndër të tjera kanë qenë dy elemente që kanë çuar prokurorin të firmosë urdhrin e lirimit për 34-vjeçarit. Astrit Vladi ka lënë qelinë rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme, ku është pritur nga familjarë dhe të afërm të tij. Burimet shprehen se vendimi i djeshëm i prokurorisë nuk e përjashton të liruarin nga hetimet e mëtejshme që do të zhvillohen për këtë çështje. Momentalisht, vrasja e ndodhur mbrëmjen e së martës pranë kthesës së Kamzës mbetet pa autor, ndërsa grupi i hetimit ka rihedhur edhe njëherë mbi tavolinë pistat që do të ndiqen. Konfliktet e mundshme në Itali të viktimës, por edhe konflikti për automjetin në pronësi të këngëtarit Arif Vladi, sipas burimeve janë dy nga pistat e hetimit që do të ndiqen nga oficerët dhe agjentët e ngarkuar për zbardhjen e ngjarjes. Paralelisht, grupi i hetimit ka kërkuar të dhënat e tabulateve telefonike të telefonit celular që përdorte viktima për të verifikuar të gjitha telefonatat hyrëse dhe dalëse, si dhe sms-të. Nga këqyrja e telefonit celular rezulton se Pavlin Marku ka debatuar tri javë më parë me Astrit Vladin, me të cilin është konfliktuar dhe fizikisht. Ndërsa pak momente para vrasjes ai është telefonuar nga një miku i tij, i cili i ka kërkuar ta merrte me motor, pasi ndodhej jashtë kryeqytetit. Pas lirimit të të dyshuarit kryesor të kësaj ngjarje, arrestimi i të cilit u njoftua zyrtarisht nga policia e kryeqytetit, zbardhja e vrasjes së Markut bëhet akoma më e vështirë. Përveç dy pistave hetimore, hetuesit e çështjes vijojnë me pyetjen e personave të tjerë që kanë pasur njohje me viktimën, duke shtuar kështu dyshimet mbi motivet e vërteta të vrasjes së 31-vjeçarit Pavlin Marku. Pukjani u qëllua me pesë plumba pistolete rreth orës 19:55 të së martës, teksa udhëtonte me motorin e tij pranë vendit të quajtur “Kthesa e Kamzës” në rrugën dytësore paralel me autostradën Tiranë-Durrës.
Vrasja e Markut, asnjë dëshmitar okular
Në momentin e vrasjes së Pavlin Markut në vendngjarje nuk ka pasur asnjë dëshmitar, çka e vështirëson edhe më tej gjetjen e automjetit me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar. Pa kaluar 24 orë nga kjo ngjarje, policia ndaloi Astrit Vladin, i cili gjatë marrjes në pyetje deklaroi se përgjatë intervalit kohor të vrasjes ndodhej nën shoqërinë e një vajze në një prej lokaleve te Kullat Binjake. Alibia e tij u provua nga regjistrimet e kamerave të sigurisë, por edhe nga vetë vajza që pohoi para policisë se ka qenë nën shoqërinë e 34-vjeçarit atë mbrëmje. Tashmë, që i liruari kryesor u lirua për mungesë provash, policia duhet të gjejë autorin e vrasjes, ose përndryshe dosja do të arkivohet në sirtarët e pluhurosur në zyrat e sektorit të vrasjeve.