E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, sanksione të rrepta falsifikatorëve të kontabilitetit

24/09/2009  Botohet në Fletoren Zyrtare. Bordi përbëhet nga shtatë anëtarë me mandat 4-vjeçar

Falsifikatorët e bilanceve do të ndëshkohen me sanksionet më të rrepta. Ky do të jetë një nga funksionet e Bordit të Mbikëqyrjes Publike të ekspertëve kontabël, autoriteti i cili do të vendosë për heqjen apo pezullimin e së drejtës për ushtrimin e veprimtarisë për shoqëritë audituese dhe ekspertët kontabël, të regjistruar, sipas rasteve të parashikuara në ligj. Vendimi për organizimin dhe funksionimin e këtij bordi është botuar në Fletoren Zyrtare duke marrë kështu fuqi ligjore.

Funksionimi

Bordi është organ kolegjial, i përbërë nga shtatë anëtarë, të emëruar nga ministri i

Financave, për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë radhazi.

2. Bordi përbëhet nga kryetari dhe tre anëtarë, të cilët duhet të jenë persona, që nuk e ushtrojnë profesionin. Tre anëtarët e tjerë duhet të jenë persona, që mund ta ushtrojnë profesionin në praktikë, me një përvojë jo më pak se 5 vjet në auditimin ligjor të pasqyrave financiare të shoqërive tregtare. Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të raportojë te ministri i Financave, një herë në vit, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës. Raportimi i Bordit do të bëhet përmes një raporti përmbledhës me shkrim, ku jepen detaje të problemeve të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar dhe të zgjidhjeve e vendimeve të marra. Instituti “IEKA” përmes organeve të veta përgatit aktet vetërregullatore dhe/ose akte të tjera nënligjore që kërkohen nga ky ligj, të cilat kur kjo është parashikuar në këtë ligj, i nënshtrohen miratimit sipas rastit nga Bordi dhe ministri i Financave.

Kriteret e përzgjedhjes

Anëtarët e bordit duhet të jenë persona që nuk e ushtrojnë profesionin në praktikë dhe duhet të kenë figurë të pastër morale, të zotërojnë njohuri të mjaftueshme dhe të kenë përvojë, së paku 5 vjet për çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit, të mos kenë qenë anëtarë të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël, të autorizuar, së paku, prej një periudhe prej tri vitesh para emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit. Gjithashtu ata duhet të mos kenë pasur të drejtë vote në një shoqëri auditimi, së paku, për një periudhë prej tri vitesh përpara emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit dhe të mos kenë qenë anëtarë të organeve të qeverisjes dhe/ose të drejtimit të një shoqërie auditimi, së paku, prej një periudhe prej tri vitesh, para emërimit në pozicionin e anëtarit të bordit. Po kështu, sipas këtij vendimi, ata duhet të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël të autorizuar. Ndërkaq, anëtarët e bordit që e ushtrojnë profesionin në praktikë, duhet të kenë përvojë jo më pak se 5 vjet në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, të shoqërive tregtare dhe të shquhen për aftësi e përgjegjësi profesionale. Ata duhet të mos kenë qenë të ndëshkuar më parë me masa disiplinore të natyrës së pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të profesionit apo të pezullimit të kryerjes së disa llojeve të shërbimeve profesionale, si dhe të mos jenë anëtarë në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të ekspertëve kontabël të autorizuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›