E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi/Franca shpall të paligjshme taksën progresive që propozon Rama

30-12-2012 / Gazeta 55

Gjykata Kushtetuese Franceze ka rrëzuar taksën progresive që do zbatohej mbi francezët me mbi 1 milionë euro, duke e shpallur atë si të paligjshme e të padrejtë. I njëjti model që skandalizoi francezët dhe detyroi qindra biznesmenë të braktisnin vendin, propozohet prej opozitës në Shqipëri, si alternativë elektorale, një alternativë që të kujton parimin diktatorial “të gjithë të barabartë në mjerim”
 
Taksa progresive është në kundërshtim me kushtetutën e një vendi demokratik.
Gjykata Kushtetuese franceze e deklaroi si jo Kushtetuese taksën progresive, të kërkuar nga presidenti i majtë Fransua Hollande, që parashikonte një taksë jakobine 75 për qind mbi të ardhurat mbi një milion dollarë, dhe që Gjykata e hodhi poshtë me motivacionin “për mungesë të barazisë në detyrimet fiskale”.
Gjykata Kushtetuese franceze theksoi në zbardhjen e vendimit se është e pamundur vendosja e taksës progresive pasi një taksë duhet të jetë një për të gjithë, jo një taksë për njërin dhe një taksë për tjetrin.
Gjatë fushatës për t’u zgjedhur president socialist Hollande pati deklaruar se do të vendoste taksën progresive në shifrën 75 për qind për një kategori shoqërore. Në thelb, taksa progresive mbi të ardhurat e të pasurve në Francë në shifrën 75 për qind është konstatuar si një ligj ideologjikisht i skajshëm, në kufijtë e jakobinizmit, ngase nuk është një taksë kompensuese por një taksë që dhunonte qytetarët që fitojnë më shumë. Këta biznesmenë duhet të jepnin ¾  e fitimit për shtetin si një supertaksë.
Sigurisht në vendin ku u hartua Karta e të Drejtave të Njeriut çështjen e barazisë fiskale e marrin shumë seriozisht. Megjithatë vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese franceze është teknikisht një “censurë” për një ligji që nuk është miratuar ende, pasi ligji hynte në fuqi në janar. Kur presidenti i Francës Hollande të shpallë ligjin e financiar, pra miratimin e buxhetit të 2013, kjo nuk duhet të përfshijë tatimin mbi fitimet e mëdha.
Taksa progresive mbi të ardhurat shkaktoi shumë debate në Francë, sipas qeverisë ishte një tarifë e drejtë, për shkak se ishte shumë progresive - pra bënte të paguante më shumë taksa të pasurve - gjithashtu e dobishme për të rregulluar situatën delikate në arkën e shtetit francez. Sipas shumë kritikëve dhe opozitës së djathtë, taksa nuk do të sillte  të ardhura të konsiderueshme - vetëm 30 mijë  qytetarë francezë, të cilët fitojnë më shumë se 1 miliona euro dhe me përjashtime të ndryshme, të prekurit nga tatimi, në thelb, do të jetë shumë më pak - dhe mbi të gjitha, do të shkaktonte një ikje të pasurve nga vendi, me rezultatin paradoksal të rënies së të ardhurave totale nga mbledhja e taksave.
Krahas efekteve sociale, taksa progresive po sjell edhe një eksod largimesh të personaliteteve nga fusha të ndryshme si arti, kultura, sporti si dhe biznesmenë të cilët në shenjë proteste për tatimin 75 për qind të të ardhurave, kanë zgjedhur të dorëzojnë shtetësinë franceze, për të rinisur një jetë të re, në shtetet fqinje, ku në “pole position” ishte padyshim Belgjika, Britania, madje dhe Rusia. Një prej atyre që deklaroi pamundësinë për të paguar kaq shumë taksa ishte dhe Gerard Depardieu, që nuk ishte as i pari dhe as i fundit që u deklaruar kundër  ligjit të ri të taksave. Edhe pse taksimi progresiv shikohej si mundësi e mirë për rritjen e të ardhurave buxhetore, impakti social është dëshpërues, pasi çon në shkurtimin e vendeve të punës, reduktimin e të ardhurave dhe uljen e fuqisë blerëse.
Sikurse, një vendim i nxituar dhe i pa studiuar mirë nga qeveria, i jep “fuqi gjallëruese” evazionit fiskal, duke rrezikuar kështu falimentimin e ekonomisë, në periudhën më të egër të krizës globale. Vendet e zhvilluara perëndimore, të ndikuara nga efektet e recensionit po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një modeli ekonomik me taksa të ulëta, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. E kundërta mund të thuhet për Francën, atje ku qeveria socialiste e Fransua Hollande i ka vënë shkelmin taksave të ulëta, për të përqafuar taksën e Marksit, e cila është një luftë e hapur kundër biznesmenëve dhe punëdhënësve. Njëkohësisht me propozimin ligjor të presidentit francez i cili hyn në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, pamfleti i Marksit valëvitet edhe mbi Shqipëri. Kjo padyshim jo me veti të forta ligjore, pasi fatmirësisht propagandën e rritjes së taksave po e ushtron opozita. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka cilësuar si një nga objektivat bazë të programit ekonomik, rritjen e taksave për të pasurit - ndërsa nga ana tjetër qëndron paradoksi, u premton bizneseve të vogla zerimin e taksave.
Sigurisht taksat nuk mund të hiqen në një ekonomi tregu. Por ndryshe ndodh me ekonomitë socialiste, ku mund të heqin taksat dhe të “hanë me lugë floriri”. Enver Hoxha hoqi taksat në ekonominë komuniste, e cila vazhdoi me logjikën “me forcat tona”, e cila degjeneroi në një varfëri të skajshme. Edhe Edi Rama doli me propozimin e taksës progresive, një propozim atavik i ekonomistë komunistë të 70 viteve më parë me kryesues Spiro Kolekën, daja i Edi Ramës; ndërsa këto ditë rikthen modelin e Enver Hoxhës për heqjen kolektive të taksave për motive të dobëta elektorale. Dalja në ekstrem të kundërt të Edi Ramës, kishte prapavijë elektorale për të fituar vota e mbështetës. 
Por heqja e taksave, ndryshe zerimi i kontributit në arkën e shtetit, në fakt, është propozim për të instaluar kulturën e evazionit masiv fiskal, pra të mospagesës së detyrimeve ndaj shtetit. Këtë fakt e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese franceze, e cila vuri në dukje se është një taksë e papërgjegjshme që shtyn taksa paguesit ti ikin shtetit të tyre.
Në kushte të zënies së frymës sipërmarrjes do t’u rikthehen praktike të fshehjes së të ardhurave dhe do të kalojnë në evazion fiskal siç kanë bërë nga 1998 deri në 2005. 
Një kulturë antishtet e evazionit fiskal që është luftuar për shumë vite me anë të taksës së sheshtë, ku ulja e detyrime karshi shteti është në 10 për qind. Taksa e sheshtë rrit të ardhurat duke ulur kostot e realizimit të këtyre të ardhurave dhe duke minimizuar nivelin e evazionit fiskal. Rritja e të ardhurave në buxhet ka bërë të mundur investimet kapilare në infrastrukturën e përgjithshëm, (rrugë, spitale, ujësjellës, shkolla, etj) duke shpëtuar vendin nga recesion i pashmangshëm i krizës financiare botërore që preku dy vendet fqinje. Të gjithë e kanë kuptuar se evazioni i taksave nëpërmjet zbrazëtive të shumta të krijuara në sistemet progresive i kushton shtetit një shumë të konsiderueshme të ardhurash.
Instalimi i taksës progresive në Shqipëri do të ishte kundër prodhuese për ekonominë duke penalizuar shtresa popullsie që japin punësim ndërmjet investimit të zgjerimit të biznesit të tyre. Taksimi i tyre në shifra të larta, ku ¾ e fitimit iu merret nga shtetit, është dekurajuese për çdo biznesmen.
L. Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›