E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendorët lejohen të pezullojnë lejet mjedisore të ministrisë

Projektligji Autoriteteve lokale u jepen më shumë kompetenca lidhur me kontrollin e cilësisë së ajrit

Qeverisja vendore tani do të ketë të drejtë që të pezullojë lejet mjedisore të dhëna nga ana e Ministrisë së Mjedisit në rastet kur konstatohen shkelje të cilësisë së ajrit nga sipërmarrje të ndryshme. Po kështu, ata mund të ndërhyjnë në orientimin e trafikut, si dhe u jepen një sërë kompetencash të tjera që lidhen me ruajtjen e cilësisë së ajrit në territoret ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është aprovuar kalimi në Kuvend i projektligjit që bën disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”. Aty thuhet se: Organi i qeverisjes përkatëse vendore, për zbatimin e planit vendor të veprimit për cilësinë e ajrit, nxjerr akte normative, me anë të të cilave mund, por pa u kufizuar: të rishikojë kërkesat e shkarkimeve në ajër, që përmban leja mjedisore, ose ta pezullojë atë. Gjithashtu, lejohet që të pezullojë ose të kufizojë shkarkimet në ajër nga çdo burim tjetër; të mbyllë përkohësisht ose përgjithmonë rrugët e qarkullimit të automjeteve, të përfshira në zonën e veprimit për cilësinë e ajrit. Po kështu, vendorët mund të vendosin kufizime për përdorimin e rrugëve nga automjetet me motor, duke mos përfshirë kufizimin e përdorimit të këtyre rrugëve për transportin publik dhe të banorëve. Ata do të duhet që të parashikojnë edhe kufizimin e parkimit dhe për automjetet me motor, vendet e shkarkimeve e të qëndrimeve, gjatë përdorimit të rrugëve, në zonat në ndërtim. Autoritetet vendore përmes këtij projektligji mund të rregullojnë më mirë trafikun, për të pakësuar ose për të parandaluar bllokimin, si dhe të ndalojnë përdorimin e mjeteve me motor me djegie të brendshme, në zonat në ndërtim. Vendorëve u jepet e drejta që të përcaktojnë kërkesa specifike, të detyrueshme për t’u respektuar gjatë veprimtarive ndërtuese dhe në kantieret e ndërtimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›