Qeveria do të shesë për skrap dy nëndetëset e Pashalimanit

Përfundimisht do të shiten për skrap dy nga nëndetëset shqiptare, deri dje dëshmi e pakundërshtueshme e një “beteje” në periudhën e Luftës së Ftohtë. Në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave thuhet saktësisht se nëndetësja 332 “Tufani” dhe ajo 334 “Vetëtima” të shiten, sipas legjislacionit në fuqi. Fillesat e këtij veprimi janë në vitin 1998 dhe vazhdojnë në vitin 2002 kur u miratua vendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 828, datë 30.12.1998, të Këshillit të Ministrave, për shitjen e mjeteve dhe teknikës luftarake të ushtrisë, të dala jashtë përdorimit në formën e skrapeve, ndryshuar me vendimin Nr. 444, datë 26.9.2002, të Këshillit të Ministrave”. Në zbatim të planeve të ristrukturimit të forcave detare dhe të reduktimit të numrit të anijeve të regjistruara, shumë nga anijet kanë dalë jashtë përdorimit luftarak. Dy nga këto nëndetëse, me vendimin e sipërcituar të 8 viteve më parë, u vendos të shiten në formën e skrapit, por nuk u realizua. Nisur nga historiku i brigadës së nëndetëseve në Pashaliman të Vlorës dhe popullaritetit që ka fituar njëra prej këtyre nëndetëseve, që njihet si nëndetësja 105, u miratua atëherë vendimi për të ndryshuar destinacionin e tyre dhe kthimin e këtyre mjeteve në objekte muzeore. Këto nëndetëse, megjithëse kanë dalë jashtë përdorimit si mjete luftarake dhe kanë humbur cilësinë luftarake, kanë ruajtur vlera të mëdha historike, duke qenë simbol i Luftës së Ftohtë. Këto nëndetëse do t’i shtoheshin inventarit të Muzeut të Forcave Detare pranë Akademisë së Detarisë Vlorë. Ato do të qëndronin të ankoruara në gjirin e Vlorës, përballë hyrjes së Akademisë së Detarisë.
#