Vendorët, më shumë shpenzojnë sesa arkëtojnë në buxhet
Pushteti vendor vazhdon që të ketë një nivel më të lartë shpenzimesh se të ardhurash që siguron për arkën e buxhetit të shtetit në tërësi. Këtë fakt e tregojnë të dhënat më të fundit statistikore të publikuara nga ministria e Financave për muajin janar, ku tregohet se për këtë sektor, shpenzimet kanë qenë më të larta se të ardhurat e siguruara prej tij. Konkretisht, shpenzimet për buxhetin vendor mësohet se gjatë këtij muaji kanë qenë në vlerën e 1.357 milionë lekëve. Ndërsa të ardhurat që vendorët në tërësi i kanë sjellë buxhetit të shtetit gjatë kësaj periudhe kanë qenë në nivelin prej 764 milionë lekësh. Ky raport, në fakt, shkon në vijë të drejtë me parashikimin fillestar të bërë që gjatë hartimit të buxhetit rreth parave që do të marrë pushteti vendor nga ai qendror dhe atyre që pritet që ai t'i sjellë atij, prej mbledhjes së disa taksave të caktuara. Saktësisht, parashikimi i bërë nga autoritetet e ministrisë së Financave për të ardhurat që do të vilen gjatë vitit 2012 nga pushteti vendor, kap shifrën totale prej 14.624 milionë lekësh, në një kohë, kur parashikimi për shpenzimet e parashikuara për buxhetet vendore në tërësi gjatë këtij viti, kap shifrën e 29.503 milionë lekëve. Sa u përket taksave që i janë lënë pushtetit vendor për t'i mbledhur, janë tre të tilla kryesore, të përcaktuara në kuadrin e zbatimit të reformës së decentralizimit. Duke shkuar në detaje, bëhet fjalë për mbledhjen e taksës mbi pasurinë, asaj mbi biznesin e vogël dhe gruptaksave të ashtuquajtura "lokale". Konkretisht, statistikat e raportit financiar për janarin 2012, tregojnë se nga taksa e parë, buxhetit të shtetit i janë arkëtuar në total 2.132 milionë lekë. Kurse nga taksa mbi biznesin janë arkëtuar 3.083 milionë lekë dhe nga ato lokale, buxheti ka përfituar shumën prej 9.409 milionë lekësh. Nga ana tjetër, tabela statistikore e Ministrisë së Financave, tregon se vetë realizimi buxhetor në total si i tillë gjatë janarit 2012, ka rezultuar me më shumë të ardhura se shpenzime. Saktësisht, është arritur që të mblidhen 25.574 milionë lekë, nga 355.759 të tilla që është parashikimi vjetor i të ardhurave për gjithë buxhetin e shtetit. Kjo shumë përkon me nivelin prej 7.19 për qind të totalit të këtij tregues, i cili rezulton më i lartë se treguesi i shpenzimeve. Kurse sa u përket shpenzimeve, në këtë periudhë, ato kanë qenë në nivelin prej 6.05 për qind të totalit të atyre të parashikuara për të gjithë vitin. Konkretisht, autoritetet e Financave kanë programuar që përgjatë gjithë vitit 2012, brenda kuadrit të buxhetit të shtetit, të kryhen në total 322.389 milionë lekë shpenzime. Dhe i krahasuar me ecurinë e raportit të ardhura-shpenzime për buxhetin vendor që analizuam më lart, duket se buxheti i shtetit ndjek një linjë tjetër: atë të dominimit të zërit të të ardhurave kundrejt shpenzimeve.