E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendorët, problem vjelja e taksës mbi pasurinë

05/10/2009  Buxheti: Të ardhurat nga taksat lokale u rritën me rreth 13.22 për qind

Vjelja e taksës mbi pasurinë mbetet ende një problem për arkën e shtetit. Edhe pse shifrat kanë ardhur në rritje nga viti në vit, administrata vendore është e paaftë të realizojë 100 për qind mbledhjen e kësaj takse. Në buxhetin e rishikuar të këtij viti theksohet se kjo situatë bëhet akoma më problematike për shkak të informalitetit të lartë në këtë sektor. “Tatimi mbi pasurinë ka një potencial të lartë mbledhje dhe mendohet të jetë rreth dy herë më shumë se niveli aktual i mbledhjes. Në fakt parashikimi vjetor për këtë zë është 62 për qind krahasuar me një vit me parë. Me gjithë potencialin e lartë, mbledhja e këtij tatimi mbetet problematike, për shkak të informalitetit në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të shpërndarjes së pabarabartë të barrës tatimore”, - thekson relacioni i përgatitur nga ekspertët e Ministrisë së Financave.

Të ardhurat nga taksat

Në relacionin e rishikuar përcaktohet se të ardhurat e mbledhura nga taksat lokale për periudhën janar - korrik të këtij viti arritën në 8 miliardë lekë ose 939 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Rritja sipas ekspertëve arrin në rreth 13.22 për qind. Mes mbledhjes së këtyre taksave nivelin më të lartë e ka arritur taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e reklamave. “Në grupin e taksave lokale, taksa më e rëndësishme është ajo e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila këtë vit janë mbledhur rreth 2 miliardë lekë krahasuar me 920 milionë lekë të të njëjtës periudhë të 2008, me një rritje prej 121 për qind. Rritje të konsiderueshme kanë pasur dhe të ardhurat nga taksa e reklamave me 116 për qind dhe nga taksa e tabelës me 45 për qind kundrejt 2008”, - thekson relacioni. Gjithashtu ekspertët kanë analizuar se taksa vendore mbi biznesin e vogël ka grumbulluar 1.8 miliardë lekë, ose pothuajse të njëjtin nivel të ardhurash me një vit më parë, nga tatimet mbi pasurinë që është taksa e ndërtesës dhe tokës bujqësore janë mbledhur vetëm 967 milionë lekë, ndërsa nga taksat e tjera lokale janë mbledhur për periudhën 7 mujore rreth 5.3 miliardë lekë me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, prej 24 për qind. Sa i takon shpenzimeve për pushtetin vendor ato kanë arritur në rreth 17.9 miliardë lekë nga rreth 20.2 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë të vitit 2009, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 2.2 miliardë lekë ose rreth 10.96 për qind më pak se plani i periudhës. Sipas ekspertëve, krahasuar me një vit më parë këto shpenzime rezultojnë rreth 5.2 miliardë lekë më të larta ose rreth 48.7 për qind më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›