E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shtyn votimin për mungesë kuorumi

06/10/2009  Diskutohet projekti që ul moshën e daljes në pension të minatorëve

Topalli: Qeveria mbajti premtimin e saj dy javë pasi u zgjodh

Kuvendi nuk mundi të votojë gjatë seancës së djeshme projektligjet e parashikuara në ren të ditës për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Mungesa e një pjese të mirë të kabinetit qeveritar dhe të deputetëve të mazhorancës kanë shtyrë për seancën e së enjtes të javës tjetër votimin e tyre. Kuvendi diskutoi rreth projektligjit më të fundit të qeverisë, që parashikon uljen me pesë vjet të moshës së përftimit të pensionit të punonjësve të nëntokës. “Ky është një premtim e qeverisë sonë, që tregon dhe dëshmon fytyrën e kësaj qeverie, e cila i mban premtimet. Nuk kanë kaluar as dy javë nga miratimi i qeverisë dhe ajo menjëherë solli këtë projekt që ndihmon këtë shtresë të shoqërisë shqiptare”, - tha Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas këtij projekti, punonjësit e nëntokës kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie kur arrijnë moshën 60 vjeç dhe kur kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilët jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë. “Pensioni llogaritet sipas rregullave të përcaktuara për pensionet e pleqërisë në ligjin nr. 7 703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Efektet financiare të këtij ligji deri në mbushjen e moshës, sipas nenit 92 të ligjit 7 703, për sigurimet shoqërore të përballohen nga buxheti i shtetit”, - thuhet në projektligjin “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”. Nga ky pension do të përfitojnë 18 profesione të ndryshme. Efektet financiare të ligjit do të nisin në vitin 2013, kur dalin në pension rreth 2800 punonjës të këtyre kategorive. Kostoja e pensioneve sipas këtij ligji deri në moshën 65 vjeçe të punonjësve të nëntokës do të përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe më pas nga ISSH-ja. Kostoja në vitin e parë të pagesës së pensioneve, pra pas 2013-s, në respektim të këtij projekti do të arrijnë rreth 25 milionë lekë në muaj, ose 300 milionë lekë në vit.

Pakësimi i seancave

Legjislativi i ri shqiptar ka hequr nga lista e programit të saj punimet e një seancë gjatë javës. Konferenca e Kryetarëve ka vendosur dje që të paktën për tri javët e ardhshme Kuvendi të zhvillojë vetëm një seancë në javë, atë të ditës së enjte. “Kemi rënë dakord që seancën e ditës së hënë të mos e zhvillojmë, me qëllim realizimin e ligjeve sa më cilësore”, - njoftoi vendimin e Konferencës së Kryetarëve Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në fillim të seancës së djeshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›