E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendorët socialistë kërkojnë heqjen e moratoriumit të skafeve

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në një komunikim me mediat, bëri të njohur këtë kërkesë, duke theksuar se shfrytëzimi i detit nga banorët e zonave nuk është thjesht një mundësi më shumë, por një burim jetik e strategjik i ekonomisë së tyre.
     
"Ne, të zgjedhurit vendorë, përfaqësues të PS-së në Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnje, Himarë, Orikum, Pogradec, etj, mbështesim amendimin e grupit parlamentar socialist për shfuqizimin e Moratoriumit të mjeteve motorike lundruese, si një ligj që penalizon në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona", thuhet në kërkesën e vendorëve të PS-së, drejtuar Kuvendit.
    
 Sipas saj, "shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre. Mohimi i shfrytëzimit të lirë të deteve tona jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cënuar edhe krenarinë e banorëve tanë, të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë".
     
Në fillim të kësaj jave komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare rrëzoi nismën e PS-së për shfuqizimin e ligjit 'Për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese', e inicuar nga deputeti i PS-së, Artan Gaçe. Në propozimin e saj PS kërkonte që të hiqej bllokimi i mjeteve lundruese në Shqipëri, duke e cilësuar si një masë të tepërt dhe dëmtuese ndaj bizneseve.
     
Sipas relacionit të nismës së opozitës, ligji ka bllokuar zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë. Moratoriumi i miratuar në vitin 2006 nga maxhoranca e djathtë synon bllokimin e trafiqeve që bëheshin me skafe drejt Italisë dhe Greqisë.

                                                                                             2012-06-02 14:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›