E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania dhe Rusia të shqetësuara për Sirinë

Lista e temave ishte e gjatë ndërsa koha për bisedime e shkurtër. Një orë presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel biseduan në Berlin për marrëveshjet për energji, marrëdhëniet ekonomike, krizën e euros, programin atomik iranian dhe gjendjen në Siri.

"Masakra më e re në Al - Hula na ka dëshmuar para syve se sa e tmerrshme është gjendja e të drejtave të njeriut në Siri", deklaroi kancelarja Merkel, në një konferencë të shkurtër pas këtij takimi, duke shtuar: "Ne të dy kemi bërë të qartë se angazhohemi për një zgjidhje politike."

Plani i të deleguarit të posaçëm Kofi Anan mund të jetë pikënisje e mirë për zgjidhje politike të konfliktit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të punojë që ky plan edhe të realizohet, e në rast nevoje edhe të plotësohet me masa të reja, theksoi Merkel por pa dhënë detaje të reja se me çfarë masash mund të plotësohet plani i tanishëm i Ananit.

Brengosje nga mundësia e luftës qytetare në Siri

Edhe Putini u deklarua për çështjen e Sirisë. Ai hodhi poshtë kritikat se Rusia është e njëanshme në mbështetjen e regjimit të Asadit. "Sa i përket Sirisë ne kemi raporte shumëvjeçare të mira. Por ne nuk mbështesin asnjërën prej palëve në konflikt", theksoi Putin duke shtuar se Moska nuk furnizon palët me armë të cilat mund të përdoren në një luftë qytetare. Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka kërkuar më parë prej Rusisë që të ndërprejë furnizimin e Sirisë me armë.

Putini paralajmëroi nga lufta qytetare në Siri, sepse fillimet e saj tani po shihen. Kjo është shumë e rrezikshme. Ne jemi të një mendimi me kancelaren Merkel se luftën qytetare duhet evituar. Për këtë duhet të bashkëpunojmë me KS të OKB, presidentin e Sirisë, vendet arabe dhe të gjitha vendet e interesuara për zgjidhjen e këtij konflikti. Në këtë kuptim, Putini tha se duhet pasur durim. "Ne duhet t'i japim një shans planit të Ananit dhe jo të flasim për dështimin e tij. Me dhunë nuk mund të arrihet asgjë", theksoi Putin.

Përqafimet dhe sjellja miqësore

Takimi mes Putinit dhe kancelares Merkel është pritur me shumë interes. Mediat kanë spekuluar më parë se mes këtyre mbretëron një atmosferë e akullt dhe mungon përzemërsia. Ky ishte edhe shkaku pse kishin ardhur shumë gazetarë për të përcjellë këtë takim, të parin pas rizgjedhjes së Putinit në postin e presidentit. Ata ishin të interesuar për çdo fjalë dhe gjest që mund të simbolizonte marrëdhëniet mes dy politikanëve. Por Merkel dhe Putin lanë një përshtypje shumë profesionale. Përshëndetja me dy puthje në faqe, buzëqeshjet miqësore dhe fjalët e përzgjedhura ishin ato që dëshmojnë për një raport respektplotë mes tyre.

Si dëshmi e një partneriteti të mirë Putini theksoi edhe bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë ekonomik dhe rritjen e vëllimit të këmbimit të mallrave mes këtyre dy vendeve. Ndërsa Merkel lavdëroi besueshmërinë ruse në furnizimin me gaz.

Pas takimit me kancelaren Merkel, Putini u takua edhe me presidentin gjerman Joachim Gauck. Ishte ky takimi i parë mes tyre në postin e presidentëve. Putini e ftoi presidentin gjerman për një ftesë zyrtare në Rusi./Dw-Start/

                                                                                             2012-06-02 11:28
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›