Vendorët tregojnë linjën e re të lëvizjeve në qendër të kryeqytetit
“Ne jemi të bindur se kapaciteti i rrjetit rrugor në këtë plan të ndarë me faza, pra për këtë fazë të menaxhimit të trafikut rrotull sheshit ‘Skënderbej’, e përballon”. Ka qenë kjo deklarata e djeshme e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës lidhur me shpërndarjen e trafikut të automjeteve pas bllokimit të sheshit qendror të Tiranës, si rrjedhojë e punimeve që po kryhen aty aktualisht. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, problemi është i një menaxhimi të mirë të situatës dhe një bashkëveprim ndërinstitucional, pra edhe i organeve të qarkullimit rrugor për të bërë të mundur dhe funksionale këtë skemë.
Drejtuesit bashkiakë janë përpjekur që të përligjin edhe kaosin e shkaktuar së fundmi me qarkullimin pas bllokimit të kalimit në shesh. Gjatë asaj ore që u bë testi, thanë ata, kuptuam se cilat ishin sjelljet dhe ku janë pikat ku ne duhet të ndërhyjmë për një mirëmenaxhim të trafikut. Ndërsa kanë shpjeguar më tej se aktualisht bllokimi po bëhet në mënyrë graduale. Si fillim, lëvizja nga bulevardi ‘Zogu I’ është devijuar mbrapa Muzeut Kombëtar, aks i cili është shndërruar në rrugë me një drejtim.
Ata theksojnë se gjatë kësaj periudhe ne jemi përqendruar në rregullimin, në disa pika si përpara selisë së Partisë Socialiste, tek rruga “Mine Peza”, rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit dhe tek Ura. Patjetër që qytetarëve u nevojiten disa ditë për të kuptuar drejtimet e reja të lëvizjes dhe për t’u mësuar.
Pas disa ditësh, kur drejtuesit e automjeteve të jenë mësuar me sinjalistikën dhe rrugët, do të bëhet bllokimi i Rrugës së Kavajës dhe i Rrugës së Durrësit për në qendër.
Në këtë fazë, që kantieri të jetë duke punuar plotësisht, trajektorja do të jetë: mjetet që vijnë nga bulevardi “Zogu I” do të kthehen pas Muzeut, pra nuk do të vazhdojnë me drejtim destinacion sheshin. Gjithashtu mjetet që vijnë nga Rruga e Dibrës kalojnë drejt, përpara Muzeut, mjetet të cilat vijnë përpara bashkisë kthehen te Xhamia, do të lejohen, mjetet të cilat vijnë nga Rruga e Durrësit dhe Rruga e Kavajës do të futen në Unazën e Vogël të Qytetit, do të kalojnë para selisë së Partisë Socialiste dhe prapa lulishtes së Skënderbeut.
Autoritetet e bashkisë u kërkojnë drejtuesve të automjeteve të ndjekin sinjalistikën e re, ndërkohë që do të ndihmohen edhe nga Policia Bashkiake.
#